Bota

Gjermanisë i kërkohet që ta lejojë përdorimin e vaksinës së AstraZenecas edhe për personat mbi 65 vjet

Imunologu gjerman Casten Watzl, i ka bërë thirrje autoriteteve gjermane që të ndërrojnë mendje dhe të lejohet vaksinimi i personave mbi 65 vjet me vaksinën anti-COVID të Oxford/AstraZenecas, njofton BBC.

Në një intervistë për BBC, Watzl, që është në krye të Shoqërisë Gjermane për Imunologji, ka thënë se rregullatorët gjermanë duhet të ndryshojnë vendimin për të mos rekomanduar vaksinën e Oxford/AstraZenecas për personat e moshuar.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje kancelares gjermane Angela Merkel që ta marrë vaksinën në prani të kamerave televizive për të dëshmuar se është e sigurt.

Komisioni gjerman i vaksinave po e rishikon rekomandimin e vet sa i përket vaksinës anti-COVID të Oxford/AstraZenecas.

Thirrjet e Watzlit kanë ardhur pasi studimet e fundit në Skoci kanë treguar se vaksina e AstraZenecas është efikase edhe te të moshuarit.

Gjermania është një prej disa shteteve të BE-së që ka shprehur dyshime për efikasitetin e vaksinës te personat e moshuar.

Gjermania aktualisht po lufton me valën e tretë të pandemisë, ndërsa shifrat e infeksionit vazhdojnë të jenë të larta.

Në 24 orët e fundit në Gjermani janë raportiar 7890 raste të reja me koronavirus dhe 157 të vdekur si pasojë e COVID-19.