Bota

Gjermania pranon 47 pacientë me koronavirus nga Italia

Spitalet gjermane, që kanë hapësira të lira, do të pranojnë të paktën 47 pacientë nga Italia, që janë të prekur me koronavirus, në shenjë solidariteti me këtë shtet evropian, ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.

“Ne qëndrojmë afër miqve tanë italianë. Ne mund ta menaxhojmë këtë situatë vetëm bashkë”, ka thënë Maas në një deklaratë të shkurtër.

Italia aktualisht është vendi i prekur më së keqi në botë nga sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi.

Në prag të shtimit të numrit të të prekurve në Gjermani nga ky virus, autoritetet e këtij shteti megjithatë janë përgatitur për t’i pritur disa pacientë italianë për trajtim.

Instituti për sëmundje infektuese, Robert Koch, ka raportuar të mërkurën për 36,508 persona të infektuar me këtë sëmundje në Gjermani, si dhe për 198 vdekje.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë të enjten se ky shtet ende është “në qetësi para stuhisë”, duke shtuar se autoritetet janë duke shfrytëzuar kohën që u duhet për t’u përgatitur me një valë të rasteve të reja, në javët në vijim.

Në gjithë botën deri më tani është raportuar për mbi gjysmë milioni pacientë të prekur me koronavirus.

Leave a Reply

Your email address will not be published.