Kosova

Gjermania përkrah Kosovës – sfidë pandemia Covid-19 dhe korrupsioni

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pret që Kosova të ketë angazhim të shtuar kundër pandemisë Covid-19 dhe korrupsionit.

Jorn Rohde zëvëndësoi ambsadorin e deritashëm gjerman në Kosovë Christian Heldt.

Kosova është në agjendën e shtetit Gjerman gjatë presidencës së radhës së Bashkimit Evropian. Gjermania do të jetë përkrah Kosovës, por, edhe Kosova duhet të ketë agazhim më të madh për të luftuar pandeminë Covid-19 dhe për të luftuar korrupsionin. Kështu deklaroi në Prishtinë ambasadori i ri i Gjermanisë  në Kosovë Jorn Rohde, i cili mori detyrën pas përfundimit të mandatit tre vjeçar të ambsadorit Christian Heldt. Përmes një video mesazhi drejtuar qytetarëve të Kosovës, ambasadori Jorn Rohde, tha se ka vizituar Kosovën qysh në vitin 2001 menjëherë pas luftës. Ai tha se tash ka parë shumë ndryshime në Kosovë, por sipas tij, sfidat mbesin.

“Me gjithë kohët e vështira nëpër të cilat po kalojmë, pas vetëm këtyre pak ditëve që jam në Kosovë unë tashmë kam krijuar një përshtypje për lidhjen e veçantë të cilën e ndajnë Gjermania dhe Kosova. Më duhet të them se nuk e njoh qytetin. Që nga ajo kohë keni përparuar shumë. Kosova ka shumë sfida para vetes, duke përfshirë edhe rrugëtimin euro-atlantik. Gjermania është përkrah Kosovës. Ballkani perëndimor, përfshirë Kosovën është në listën tonë gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian”, tha ambasadori Rohde. Sipas tij, për Gjermaninë edhe dialogu Kosovë-Serbi, është i një rëndësie të veçantë.

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë është një prioritet i rëndësishëm. Gjermania si donatorja më e madhe bilaterale gjithashtu pret përparim substancial në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit”, tha ambasadori Rohde.

Shtim të rasteve të personave të infektuar me Covid-19

Kosova në këtë fazë po përballet me shtim të rasteve të personave të infektuar me Covid-19. Rreth 2000 raste u regjistruan vetëm gjatë 10 ditëve të fundit, ndërsa u rrit edhe numri i viktimave. Që nga fillimi i pandemisë, Kosova regjistroi mbi 9000 mijë persona të infektuar, me rreth 300  të vdekur. E në këtë situatë me pandeminë sipas ambasadorit  të ri gjerman John Rohde, duhet ndërmarr hapa të menjëhershëm të nevojshëm për të tejkaluar pandeminë COVID-19.

“Shifrat aktuale në rritje janë tejet shqetësuese. Duhet angazhim më i madh për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të rimëkëmbur ekonominë. Edhe parlamenti, edhe qeveria duhet fokusuar në këtë. Edhe në këtë krizë Gjermania do të jetë me ju”, tha ambasadori i ri gjerman në Kosovë Jorn Rohde.

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, i cili një javë më parë mori detyrën, menjëherë takoi të gjithë udhëheqësit politik kosovar. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, menjëherë pranoi letrat kredenciale nga ambasadori Jorn Rohde, i cili edhe më këtë rast u shpreh se Gjermania do ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen. E presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur optimist se gjatë kryesimit të presidencës së Bashkimit Evropian nga ana e Gjermanisë, do të mund të jetësohet edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, për faktin që sipas tij, “Kosova tash e disa vjet i ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian./DW

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483