Bota

Gjermania nuk i lehtëson masat kundër koronavirusit para 20 prillit

Gjermania nuk do t’i lehtësojë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit para 20 prillit, tha se shefi i stafit të kancelares gjermane, Angela Merkel.

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë lehtësim mase para 20 prillit”, tha Helge Braun për gazetën Tagesspiegel.

Gjermania, në mes të marsit, i ka mbyllur shkollat, dyqanet, restorantet, parqet e fëmijëve dhe objektet sportive, ndërsa shumë kompani kanë ndaluar prodhimin, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Në Gjermani, kam përshtypjen se popullsia i ndjek rregullat në mënyrë shembullore. Kjo është arsyeja përse jam i bindur se do ta shohim suksesin e tyre brenda disa ditësh”, tha Braun.

Sipas Institutit Robert Koch të Gjermanisë, i cili merret me sëmundjet infektive, aktualisht në këtë vend janë 42,288 raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus, ndërsa 253 pacientë kanë vdekur.