Kosova

Gjermania kundërshton idenë e këmbimit të territoreve

“Ishte nder i yni të presim dy deputetët gjerman, që janë me përvojë dhe përgjegjësi të gjatë politike, dhe që kanë shprehur interesimin për Kosovën dhe rajonin në vazhdimësi”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me dy deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bayer dhe Christian Schmidt nga grupet e deputetëve të Unionit Kristian Demokrat dhe Unionit Kristian Social, parti që udhëheqin me Qeverinë e Gjermanisë.

Kryeministri Haradinaj ka njohur mysafirët me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të krijuar një ambient të qëndrueshëm paqësor në rajon dhe në bashkëpunim me të gjithë. Në këtë kontekst, kryeministri Haradinaj ka theksuar përkushtimin ndaj procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë dhe angazhimin për arritjen e një marrëveshjeje që do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve.

“Në këtë takim biseduam për bashkëpunimin bilateral Kosovë-Gjermani, që është në progres dhe mundet me u bë shumë më shumë. Konfirmova gatishmërinë time që të thellojmë këtë bashkëpunim. Shpreha falënderim për procesin e Berlinit, i cili po e ndihmon dhe po e ruan rajonin, andaj edhe shpreha falënderimin për Gjermanin dhe kancelaren Merkel për këtë iniciativë, e cila u dëshmua me shumë interes për regjionin”, tha Kryeministri Haradinaj, në prononcimin për medie pas takimit, duke shtuar se Kosova dëshiron t’i bashkohet familjes Europiane, përmes lëvizjes së lirë, pa viza që e shpresojnë qytetarët e Kosovës.

“Kosova mbetet e angazhuar në të gjitha proceset e integrimit në strukturat euroatlantike dhe pret që angazhimi i saj për të përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian, të marr sa më shpejt liberalizimin e vizave për lëvizjen e qytetarëve të saj në vendet Europiane. Shpresojmë në vullnetin politik të shteteve kryesore të Europës për ta përmbyllur këtë proces dhe jemi të vetëdijshme se Qeveria Gjermane ka rol të madh në këtë proces”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, ka vlerësuar edhe gatishmërinë e dy vendeve për bashkëpunim ekonomik, duke përmendur Parkun Inovativ në Prizren dhe ka theksuar se Kosova angazhohet në krijimin e kushteve sa me të mira për investime. 

“Kosova ka një diasporë të madhe në numër në Gjermani dhe është e interesuar që ajo të jetë sa më e integruar në shoqërinë dhe shtetin gjerman dhe të kontribuojë në lidhjet sa më të fuqishme midis vendeve tona”, ka vlerësuar kryeministri Ramush Haradinaj.

Deputetët gjerman kanë falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe bisedën e zhvilluar dhe kanë shprehur gatishmërinë e shtetit gjerman për vazhdimin e mbështetjes në proceset zhvillimore në Kosovë dhe rajon, që do të krijojnë klimën e stabilitetit dhe prosperitetit për të gjitha vendet e rajonit.

“Falënderojmë Qeverinë e Kosovës dhe popullin e Kosovës për mikpritjen që në vazhdimësi ua kanë bërë ushtarëve dhe zyrtarëve tanë. Gjermania shpreh gatishmërinë që Kosova t’i bashkohet familjes europiane dhe po punojmë për këtë”, ka thënë deputeti gjerman Christian Schmidt.

“Ne jemi në vizitë zyrtare, por ne jemi me miqtë tanë. Biseduam për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Kemi folur për dialogun, të cilin e mbështesim mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për temën e këmbimit të territoreve, të cilën Gjermania e kundërshton fuqishëm. Ne do të jemi partner mbështetës i Kosovës për proceset e ardhshme, sigurisht me një sy kritik”, ka thënë deputeti Peter Bayer në prononcimin për medie, pas takimit.

Në takim ishte të pranishëm edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt dhe shefi i KAS për Kosovë, Johannes Rey. /Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.