Kosova

Gjermania dhuron 6.5 milionë euro për rritjen e kapitalit të Fondin Kosovar

Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, e përfaqësuar nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt, nënshkruan sot Marrëveshjen Financiare të grantit për “Shërbime Financiare për Krijimin e Vendeve të Punës në Sektorin e Bujqësisë, Fondi për Garantimin e Kredive III” në vlerë prej 6.5 milionë euro.  Mjetet janë të dedikuara për sektorin e bujqësisë.

Gjatës ceremonisë, ministri Bedri Hamza falënderoj Ambasadorin Gjerman dhe taksapaguesit e këtij shteti për kontributin e vazhdueshëm në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës. Për më tepër, Ministri shtoj se kjo është marrëveshja e tetë që u nënshkrua me Qeverinë Gjermane që nga marrja e mandatit në shtator të viti 2017. Ai tha se që nga marrja e këtij mandati, është i zotuar për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë, ku një prej instrumenteve është edhe rritja e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive.

Ai gjithashtu tha se këto mjete janë donacion (para pa kthim) nga Qeveria Gjermane si mbështetje direkte për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës Qeverisë së Gjermanisë.

“Shteti Gjerman është njëri ndër donatorët më të mëdhenj për Kosovën dhe që nga viti 1999 përmes kontributit financiar dhe teknik është prezent në Kosovë me shumën përmbi 500 milionë euro, prej të cilave më shumë së 80 % prej tyre janë grant. Ndërsa Fondi për Garantimin e Kredive  vetëm nga Qeveria Gjermane deri më tani ka pranuar kontribut financiar apo para falë në vlerë prej 14 milionë euro, çka mundëson që sektori privat, përfshirë këtu të rinjtë dhe gratë të kenë qasje më të lehtë në financimin e bizneseve të tyre dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Fondi për Garantimin e Kredive është një institucion i cili është themeluar the funksionalizuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Institucioneve të Kosovës dhe Donatorëve”.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme, vlera totale e marrëveshjeve grant të nënshkruar me Donatorë të ndryshëm që kur kam marr mandatin arrin shumën 101 milionë euro, prej të cilave më shumë së 50 milionë euro janë kontribut i Qeverisë Gjermane, për çka në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të Kosovës falënderoj shumë shtetin Gjerman për kontributin e jashtëzakonshëm në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës. Po ashtu vlen të theksohet se jemi në diskutime të vazhdueshme me Donator dhe Institucione Financiare Ndërkombëtare që të sigurojmë rritje të qëndrueshme të kapitalit të këtij Fondi” tha ministri Bedri Hamza.

Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, falënderoi Ministrin Hamza për mirëbesimin dhe bashkëpunumin që kanë institucionet e të dyja shteteve, sidomos në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar duke thënë se kjo ndihmesë është që Kosova të jetë sa më afër integrimeve euroatlantike.

Ai gjithashtu tha se për rritje të qëndrueshme ekonomike, sektori financiar është shtylla më e rëndësishme, ngjashëm është edhe në shtetin gjerman. Ky fond ka lehtësuar qasjen në financa për ndërmarrje të vogla dhe të mesme e që janë shtylla e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Prandaj, fondi është krijuar në mënyrë mirëbesimi dhe ka vendosur parakushte të domosdoshme që institucionet financiare t’u japin ndihmë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ambasadori Heldt, tha se donatorë të rinj kanë shprehur interesimin që të kontribuojnë në Fondin për Garantimin e Kredive me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.