Bota

Gjenocidi i Ruandës i vitit 1994, një kujtesë e pashlyer

Dhjetëra e mijëra gra morën pjesë në gjenocidin e 1994-s në Ruandë, por për rolin e tyre është folur rrallë, dhe pajtimi me familjet e tyre është i vështirë. Gazetarja e BBC-së, Natalia Ojevska, ka folur me disa prej grave pjesëmarrëse në gjenocid, që tani po vuajnë prapa grilave.

Çfarë e kishte nisur si një udhëtim të shkurtër për të mbushur ujë për shujtën e mëngjesit, Fortunate Mukankuranga do ta mbaronte me një vrasje.

Hija e vrasjes

Veshur me uniformën portokalli të burgut dhe me zërin e saj të mekur, ajo kujton ngjarjet e mëngjesit të dhjetë prillit 1994.

Derisa po shkonte rrugës, do të haste në një grup sulmuesish që po rrihnin dy burra midis rruge.

“Kur dy burrat ranë në tokë, e rroka një shkop në dorë dhe thashë: ‘Tutsit duhet të vdesin!’ Pastaj e qëllova njërin prej tyre dhe pastaj tjetrin … isha njëra prej vrasësve”, thekson 70-vjeçarja.

Ata ishin vetëm dy prej tetëqind mijë vrasjeve të tutsive etnikë dhe hutuve të moderuar që kishin ndodhur brenda 100 ditësh.

Pas përfshirjes në masakër, Mukankuranga, një hutu etnike, u kthye në shtëpi te shtatë fëmijët e saj. Ndihej thellësisht e poshtëruar për krimin e kryer. Kujtimet e atij akti brutal nuk po i shqiteshin prej syve.

“Unë jam nënë. Kam vrarë prindër fëmijësh”, thekson ajo.

Vetëm pak ditë më vonë, dy fëmijë të tmerruar tutsi, prindërit e të cilëve u masakruan me hanxharë, trokitën në derën e saj duke kërkuar strehim.

Pesha e fajit

Ajo nuk u mendua dy herë dhe u ofroi strehë, ku do të mbijetonin masakrat.

“Megjithëse shpëtova fëmijët, kisha dështuar të shpëtoja edhe këta dy burra. Kjo ndihmë asnjëherë nuk do të ma shlyejë peshën e fajit”, ka theksuar Mukankuragnga.

Ajo është njëra prej 96 mijë grave të dënuara për përfshirje në gjenocid – disa sosh kanë vrarë njerëz të rritur, si Mukankuragnga, disa të tjerë fëmijë, derisa një pjesë tjetër kishin shtyrë burrat që të kryenin dhunime dhe vrasje.

Në natën e gjashtë prillit 1994, një aeroplan me presidentin hutu të Ruandës, Juvenal Habyarimana, në bord, ishte qëlluar derisa po afrohej në aeroportin e kryeqytetit Kigali.

Edhe pse identiteti i vrasësve asnjëherë nuk ishte zbardhur, ekstremistët hutu akuzuan menjëherë kryengritësit tutsi për sulmin. Brenda orësh, mijëra hutu, të indoktrinuar prej dekadave të propagandës me urrejtje etnike, iu bashkuan vrasjeve të mirorganizuara.

Pjesëmarrja e grave sfidon një paragjykim në Ruandë për gratë mbrojtëse dhe qetësuese të gjakrave.

“Është shumë e vështirë të kuptosh se si një nënë e cila i do fëmijët do të mund të shkonte në shtëpinë e fqinjëve për të vrarë fëmijë”, thekson Regine Abanyuze, e cila punon për “Kurrë Më”, organizatë kjo joqeveritare që promovon paqen dhe pajtimin.

Megjithatë, kur ishte ndezur flaka e krimeve, mijëra gra vepruan si agjente të dhunës krah për krah me burrat.

Gruaja e vetme, fajtore për përdhunime

Pauline Nyiramasuhuko, ish-ministre për familje dhe zhvillim të grave, ishte në mesin e grave të pakta ruandase që kishte mbajtur pozicion udhëheqës në skenën politike të dominuar nga meshkujt. Ajo kishte luajtur rol kritik në orkestrimin e gjenocidit.

Më 2011, Gjykata Ndërkombëtare për Ruandë e shpalli atë fajtore për gjenocid. Ajo mbetet gruaja e vetme e dënuar ndonjëherë për përdhunime, si krim kundër njerëzimit.

Nyiramasuhuko kishte përgjegjësi komanduese mbi militantët, të cilët kishin përdhunuar gra tutsi në ndërtesën e prefekturës së Butares.

Por derisa ajo ishte në majën e pushtetit, disa gra të rëndomta ruandase po i nxisnin gjithashtu burrat në krim. Të tjerat nuk kishin hezituar të përdornin çdo armë të mundshme në zotërim për të masakruar fqinjët e tyre.

Nuk ka programe të ndara rehabilitimi për fajtoret e gjenocidit dhe shumë prej tyre po kanë telashe të pajtohen me atë se çfarë kishin bërë ishte e lidhur me perceptimet tradicionale të rolit të një gruaje.

Dy anët e një masakre

Martha Mukamushinzimana është nënë e pesë fëmijëve, e cila kishte ndryrë për pesëmbëdhjetë vjet krimin e kryer, para se të ndante mendjen të raportonte veten te autoritetet e drejtësisë më 2009, pasi më nuk mund ta mbante përbrenda peshën e fajit.

Duke gjykuar para së gjithash si nëna, shumë prej tyre nuk e përballuan dot ndjenjën e fajit pasi për mënyrën e veprimit, duke pasur parasysh se roli i tyre ishte i kujdestares për më të dashurit e tyre.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.