OPINION

“Gjenerata e re” e LDK-së aleati i pashpresës

Një nga motivet më të forta qe mban njeriu në jetë është ajo që vdes e fundit – shpresa. Maksima popullore ‘’më mirë ymydi se miradi” përmban kuptimin e një shprese të pambaruar, por edhe ikjen nga e vërteta.

Në këtë mikrovend ku jetojmë, shpresa te gjeneratat e reja për të përmirësuar jetën qytetare sigurisht se ishte dhe akoma mbetet e madhe.. Prandaj, politika atyre do të duhej t`u ofronte horizont të mjaftueshëm aksioni. Inkuadrimi i një gjenerate të re në një prej partive më të vjetëra, LDK, u pa si një shpresë, freski e energji reale, meqenëse stërkonsumimi i figurave të njëjta për vite me radhë nuk u solli më rezultate.

Por, pikërisht kur mendohej se kjo “gjeneratë e re e LDK-së” është energjia që do të transformojë jo vetëm subjektin e tyre, por edhe tërë vendin, këta shpejt tradhëtuan vetën, por mbi të gjitha i tradhëtuan ata që i varën shpresat te këta. Vrasja e shpresës ndodhi nga aletati i shpresës!!! Çfarë ndodhi me gjeneratën e re të LDK-së?

Dashuria për interes dhe kënaqësi me çdo kusht duket se është premisa themelore mbi të cilën bazohet sot kjo gjeneratë. Nevoja për kënaqësi rritet, dhe bashkë me të edhe vullneti për fuqi dhe pasuri. Angazhimi në politikë u mbeti mënyra më e lehtë për të ndjekur ëndrrat. Thellësisht të ngueshëm ndaj monopolit të liderit, pa qëndrim autonom e retorika false janë bërë tipare të njohura të këtyre pragmatistëve bashkëkohorë. Të flasin me orë të tëra, por pa thënë asgjë. Ky horizont i mërzitshëm karakterizohet nga tipari për të debatuar për gjithçka, por në thelb pa zgjidhur asgjë. Kyqja në safet e partisë për këta njerëz shenjon vetëm shpëtimin dhe gjetjen e vetës, natyrisht dhe qëndrimi “gatitu e amin” para të parit të partisë. 

Nëse zbërthehet etimologjia e vetë fjalës ‘parti’ rrjedh nga fjala latine ‘partiri’ që do të thotë të ndahet. Ndërkaq frëngjisht ‘parti’ – parti, ‘partie’ do të thotë- pjesë. Pra, fjalët “ndarja” dhe “pjesë” duket se sugjerojnë një perspektivë, një kufizim dhe një paaftësi për të njohur plotësinë e së vërtetës. Vetëdija e partisë me monopolin e liderit të saj krijon një tundim të jashtëzakonshëm që i hap derën  mediokritetit. Serviliteti, kotësia, ambicie që shkatërron gjithçka para vetes, ku pastaj ato bëhen tipare të njohura të kuadrove partiake. Kur mbizotëron vetëdija monopoliste, atëherë aksiologjia është thelbësisht e ndryshme. Individët që e duan të vërtetën luftohen përherë, ndërkaq karrieristët ndjejnë erën se “ditët e tyre” po vijnë. Kështu individët parimorë e dinjitozë edhe në parti të vet luftohen, kurse të ligët nga këto virtyte avancohen në parti; sepse të parët mendojnë në mënyrë të pavarur dhe lirshëm, ndërkaq të dytit janë të gatshëm të përshtaten me gjithçka vetëm për të ndërtuar karrierën. 

Lideri i cili mban monopolin partiak jeton prej vetëmashtrimit. Ai duke bërë “zgjedhje cilësore” në parti kërkon “njëmendësi partiake”, duke e bërë atë kriter për të gjykuar aftësinë dhe përgjegjësinë juridike. Ai afron njerëzit të iracionalitetit dhe hipokrizisë, duke i hapur derën e privilegjeve të pushtetit injorantëve, hipokritëve, karrieristëve, hajdutëve, spekuluesve, lajthitësve dhe tradhtarëve, kështu niveli i cilësisë së partisë bie. Një parti e kuadrove të pakultivuara. Pra, jemi dëshmitarë që edhe partitë paqësore kur hyjnë në sistem, nuk lëshojnë përfitime kaq lehtë. Duke zgjedhur stafin e tyre, shpesh pa kurrfarë referencë respektibile, me retorikë patetike dhe demagogjike, madje e paraqesin veten si mbrojtësit e vetëm të vërtetë të shtetit dhe kombit. Për këtë arsye nuk është për t’u habitur kjo lidhje konvulsive me pushtetin dhe “përkujdesja” e tyre banale-patetike, që thonë se pas tyre do të vijnë pasiguria dhe pashpresa. Gënjeshtrat e shkatërruesve më të mirë të partisë.

Nuk është asnjë iluzion krijimi i liderit të ri e shpresëdhënës për një parti. Por liderin e vërtetë e lindin, e rrisin dhe e gjykojnë vetëm sprovat e fuqishme nëpër stuhitë kohës. Deri më sot në LDK këto i sfidoi vetëm një zonjë, Vjosa Osmani (pa i harruar dhe 3 deputetë dinjitozë). Të tjerët nga “gjenerata e re” mbetën vetëm si ‘’të përdorshmit’’ e partisë, duke dhënë shembullin e keq se ndonjëri mund të jetë potenciali real për lider partiak. Andaj, shpresë te të njëjtit nuk ka. Gjyqi i vërtetë për vrasjen e shpresës nga këta do të jetë mejdani i qytetarit. Qytetari do të jetë hero i vertetë i shpresës. E për këtë më së miri na tregon edhe rasti, kur në vitin 1937, në mes të luftës midis fashistëve dhe republikanëve spanjollë, André Malraux shkroi romanin e tij ”Shpresa”, shpresën që do ta gjenerojë fuqia e njerëzve heroikë:

“Lufta ka kaluar këtej dhe është përsëri atje diku. A nuk është lufta e vetme e drejtë gjithmonë ajo që i jemi shmangur? Ahhh, përkundër xhuxhëve të shumtë infantilë që sundojnë sot, me respektin e duhur për votuesit, ka shumë pak gjigantë të mençur guximtarë që bëjnë politikë për popullin dhe që përdorin forcën e ligjit – vetëm kur është e drejtë dhe fuqishme- vetëm kur është vëllazërore dhe solidare.”

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.