SHËNDETËSIA

Gjendja e infermieres që doli pozitive me COVID-19 është stabile

Infermierja e Klinikës Infektive e cila doli pozitive në COVID-19 nuk kishte asnjë simptomë të sëmundjes.

Infektologu Salih Ahmetaj ka konfirmuar se ajo u vërtetua më këtë virus vetëm pasi iu nënshtrua testit, derisa besohet se u infektua pas kontaktit që pati me pacientët e shtrirë aty.

Derisa Ahmetaj ka thënë se rreziku më i madh i prekjes së stafit shëndetësor ishte në muajin shkurt, kur kjo klinikë merrej me rastet e dyshuara.

Ndërsa këtë të premte, Klinika Infektive ka liruar pacientin e parë të shëruar nga COVID-19, raporton KOHA.

Pacienti i shëruar është djali i 82-vjeçarit i cili javën e kaluar vdiq pasi ishte i prekur nga coronavirusi.

Koha ka kontaktuar me Sh. H. nga Dumnica e Epërme e Podujevës, i cili ka konfirmuar se është liruar nga spitali si i shëruar nga ky virus dhe tanimë do të qëndrojë në shtëpi.

62-vjeçari ka thënë se kishte ardhur nga Italia më 5 mars nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe, sipas familjarëve të tij, simptomat e sëmundjes – si kollitje dhe temperaturë – atij i ishin shfaqur të nesërmen.

Në Klinikën Infektive po vazhdojnë të trajtohen 34 pacientë, 7 prej tyre në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Mjekët thonë se shumicës prej tyre po u jepet edhe oksigjeno-terapia, por kanë edhe sëmundje kronike të tjera.

Në Kosovë, zonat më të prekura deri më tani janë Malisheva, Gjilani e Vitia.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.