SHËNDETËSIA

Gjenden gjurmë të COVID-19, edhe mbas 17 ditëve

Hulumtuesit e kanë bërë një zbulim shqetësues pasi vërtetuan se një formë e koronavirusit mund të mbijetojë në sipërfaqe të caktuara për më shumë se dy javë.

Gjurmë të virusit Covid-19 janë gjetur në anijen “Diamond Princess”, ku persona të infektuar kishin qëndruar. Gjurmët u gjetën 17 ditë pas largimit të tyre nga kabinat. Ky rezultat u publikua në raportin e Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Megjithatë, nuk ishte e mundur të përcaktohet nëse këto gjurmë të gjetura kanë shkaktuar infektime të reja në mesin e pasagjerëve.

Sipas një studimi më të hershëm, ishte vërtetuar se virusi mund të mbijetojë në plastikë dhe hekur deri në tri ditë, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, hulumtuesit kërkuan gjurmë të koronavirusin në dhomat që nuk ishin dezinfektuar dhe shenjat ende nuk ishin zhdukur.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se dezinfektimi është metodë shumë efektive për vrasjen e këtij virusi.

Besohet se fillimisht me këtë virus ishin infektuar anëtarët e ekuipazhit, të cilët më pas i kishin infektuar edhe pasagjerët.