SPORT

Gilmour, “Iniesta i Skocisë” që fundosi Liverpoolin në FA Cup

Ishte një paraqitje mjeshtërore, që pritet të shërbejë si trampolinë për Billy Gilmourin drejt skuadrës së parë.

Mesfushori, i njohur me nofkën “Iniesta i Skocisë”, impresionoi të martën mbrëma, ndërsa Chelsea mposhti Liverpoolin me rezultatin 2:0 në FA Cup. Gilmour u shpall lojtar i ndeshjes.

Pasimet nga e majta për në të djathtën, siguria me top dhe agresiv në ndërhyrje, 18-vjeçari Gilmour dominoi mesfushën, duke lënë në hije Fabinhon e Liverpoolit.

Gilmour la shkollën në moshën 16-vjeçare për të ndjekur ëndrrën e tij të futbollit, duke filluar te Rangersi para se të transferohej te Chelsea për të vazhduar edukimin e tij në futboll.

Ai së shpejti e gjeti veten duke modeluar për firmën e modës Burberry, por kjo nuk shpërqendroi mesfushorin.

Ai shikonte video në YouTube të idhujve të tij Cesc Fabregas, Luka Modriq dhe legjendës së Barcelonës, Andres Iniesta, i vendosur për të mësuar artin e pasimit dhe për t’u bërë mesfushor i kompletuar.

Gilmour është rritur në qytetin e vogël bregdetar Ardrossan.

Si fëmijë, ai dilte me nënën dhe gjyshin në park, ku kalonte me orë duke luajtur me top çdo fundjavë.

Ai u zbulua nga Rangersi në moshën tetëvjeçare.

Pasi që nëna e tij punonte deri në orën 16:00 në ditët e javës, dhe babai i tij ishte në marinë, i mbeti gjyshit të tij, xhaxhait dhe hallës që ta dërgonin në stërvitje.

“Ata më dërgonin me autobus në Rangers pas shkollës dhe më merrnin më pas në ora 21:00 çdo ditë. Ishte ditë e gjatë për ta”, ka rrëfyer Gilmour për “Versusin”.

Në kohën kur ishte në shkollën e mesme në Grande Academy në Kilmarnock, Gilmour ishte tashmë duke stërvitur me skuadrën e parë të Rangersit.

Për të po interesoheshin Liverpooli, Manchester Unitedi dhe Arsenali, që dërguan vëzhguesit për të përcjellë talentin e madh.

Por, Chelsea bëri lëvizjen e parë.

Kur Gilmour mbushi 16 vjet, ai vendosi të transferohej te Chelsea.

Ai nuk e njihte askënd në perëndim të Londrës dhe ishte lëvizje e diktuar nga dëshira për të arritur në një nivel tjetër.

“Ishte ëndërr për mua që të luaja në Premier League. Por, po ashtu edhe që të përmirësohem si lojtar, të luaj kundër më të mirëve në botë dhe të rritem”, ka treguar skocezi.

Normalisht kur futbollistët bëjnë kalimin në botën e modës, ata janë emra të famshëm në sport. Si shembull David Beckham e Cristiano Ronaldo.

Mirëpo, Gilmourit iu dha kontratë njëvjeçare nga Burberry para se të debutonte me Chelsean kundër Sheffield Unitedit në gusht të vitit të kaluar.

“Agjenti im më telefonoi pas stërvitjes një ditë dhe më tha nëse dua të merrem me modelim. U befasova, por ai më tha se do të jetë vetëm për një vit dhe do të ketë disa foto. Unë më pas e pyeta se për kë të modeloj e ai më tregoi se për Burberryn”, ka treguar Gilmour. “Ia vlejti, ishte pak më ndryshe”.

Por, përkundër përvojës në modelim, Gilmour e dinte mirë se ku qëndronte e ardhmja e tij.

Ishte në turneun në Toulon në vitin 2018, me U-21 e Skocisë, kur Gilmour tregoi se është i destinuar për gjëra të mëdha.

Ai u shpall lojtar i ndeshjes në fitoren 1:0 ndaj Francës, ndërsa udhëhoqi Skocinë drejt vendit të katërt. Mori çmimin e “Zbulimit të Turneut”.

Një yll u lind dhe Chelsea e kuptoi se ka një diamant në skuadrën e të rinjve, që ishte plotë me të tillë me emra si Mason Mount, Callum Hudson-Odoi, Tammy Abraham dhe Reece James.

Trajnerët në akademinë e Chelseat ishin veçanërisht të impresionuar me pjekurinë e Gilmourit në fushë.

Sportistët më të mirë, përcjellin xhirime të lojtarëve të mëdhenj për të marrë ndonjë lëvizje të tyre.

Gilmour nuk është ndryshe.

Ishte e përshtatshme që pas paraqitjes së tij në ndeshjen ndaj Liverpoolit në FA Cup, ish-mesfushori i Chelseat, Cesc Fabregas e përgëzoi Gilmourin në Twitter.

Mbi të gjitha, Gilmour mund të ketë një stil të lojës që ngjason me atë të Fabregasit.

Gilmour kishte kaluar me orë duke shikuar pasimet e Fabregasit nëpërmjet xhirimeve në YouTube.

“Cesc është definitivishjt tek i cili kam marrë shumë nga stili i lojës. Ai ishte top lojtar, ende është, dhe është lojtar sipas të cilit e kam modeluar lojën time. Andres Iniesta është një lojtar tjetër, e po ashtu edhe Frenkie de Jong. Më pëlqen të shoh De Jongun duke luajtur. Këta ishin dhe ende janë lojtarët që i shikoj gjatë gjithë kohës dhe bazoj lojën time në ta. Kam shikuar shumë video të tyre në YouTube”, ka thënë Gilmour.

Gilmour duket se ka mësuar shumë nga këto video.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483