Kosova

Gërxhaliu: Kosova të aplikojë urgjentisht në OBT

OBT-ja me seli në Gjenevë të Zvicrës është e vetmja e cila ka strukturën e saj pothuajse në të gjitha shtete e botës. Përfaqësuesit e OBT-së janë ata të cilët zhvillojnë diskutime dhe përfaqësojnë interesat e shteteve të tyre respektove për çështje të tregtisë, duke filluar nga barrierat jo-tarifore e deri te shqyrtimi i politikave tregtare të vendeve anëtarë të OBT-së.

Por, Kosova, pavarësisht faktit që bisedimet dhe takimet me Organizatën Botërore të Tregtisë kanë nisur shumë kohë më parë, vazhdon të mbetet larg këtij institucioni për shkak të mosparaqitjes së një kërkese formale për anëtarësim në këtë organizatë.

Sipas mbarëvajtjes së këtij procesi deri me tani, çështja e paraqitjes së kërkesës zyrtare për anëtarësim në sekretariatin e OBT-së është tërësisht politike, pavarësisht përgatitjeve teknike që janë bërë në drejtim të anëtarësimit.

Shikuar nga një prizëm më i gjerë, Kosova nga ky anëtarësim, fillimisht si vëzhgues, më shumë do të fitojë politikisht sesa ekonomikisht. Megjithatë, prezenca e përfaqësuesit të Kosovës në takimet dhe diskutimet rreth tregtisë botërore në OBT, ka rolin e saj kyq në përgatitje të vendit tonë për anëtarësim të plotë në këtë organizatë që rrjedhë natyrshëm pas statusit të vëzhguesit dhe përafrim të legjislacionit konform rregullave të OBT-së.

Negociatat për anëtarësim, sipas përvojave të vendeve të tjera, kanë zgjatur mes 5 dhe 15 vite, andaj është momenti i fundit kur Kosova duhet seriozisht të shqyrtojë aplikimin në OBT.

Prej vendeve të rajonit, Kosova është i vetmi shtet që nuk është pjesë e kësaj organizate, madje as si vëzhgues. Nga dimensioni rajonal, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia janë shtetet e fundit që janë duke synuar anëtarësim, statusi aktual i së cilave është si vëzhgues në OBT.

Oda Ekonomike e Kosovës, rekomandon aplikim urgjent për anëtarësim në këtë organizatë me rëndësi multi dimensionale edhe si vëzhgues në të njëjtin model siç kanë aplikuar edhe vendet e rajonit dhe ky proces të mos jetë i ndikuar nga dimensioni i politikës së brendshme.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.