Kosova

Gërvalla në Kuvajt, takohet dhe nënshkruan memorandum mirëkuptimi me krerët shtetërorë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla qëndroi sot për vizitë zyrtare në Kuvajt, ku u takua me krerët më të lartë shtetërorë të këtij vendi.

Në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua edhe memorandumi i mirëkuptimit mes Kosovës dhe Kuvajtit.

Ajo është takuar me zëvendësemirin, Princin e Kurorës, Mishal Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah të cilin e falënderoi për mbështetjen e qëndrueshme dhënë Kosovës në konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të saj, si dhe ndihmat e dhëna në fusha të ndryshme për zhvillimin e Kosovës.

Duke vënë në pah mundësitë që ofron Kosova për investime të bizneseve të shtetit të Kuvajtit, Gërvalla theksoi se Kosova ka një popullsi shumë të re për nga mosha, të edukuar mirë dhe të përgatitur për tregun e punës gjë që, sipas saj, krijon mundësi për zhvillimin e bizneseve.

Zëvendësemiri siguroi vazhdimin e mbështetjes politike dhe ekonomike të Kuvajtit për Kosovën, derisa Gërvalla e ftoi për ta vizituar Kosovën.

Në kuadër të agjendës, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u takua dhe bisedoi edhe me kryeministrin e Kuvajtit. Në kuadër të kësaj bisede u shtjelluan aspekte të ndryshme të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Kuvajtit ku palët u zotuan për thellimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Gërvalla është takuar edhe me homologun e saj Ahmad Nasser Al-Mohammad Al-Sabah me të cilin nënshkroi edhe një memorandum mirëkuptimi në fushën e diplomacisë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit, në Sallën e Divanit të Përgjithshëm, nga të dy palët u theksua rëndësia e këtij memorandumi dhe nevoja e institucionalizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.

Gjatë takimit, dhe pas drekës zyrtare, palët u ndalën në bashkëpunimin bilateral në fusha të ndryshme si investimet, ekonomia, tregtia dhe tema të tjera me interes të përbashkët.

Kryediplomatja kosovare ka takuar edhe drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të Kuvajtit për Zhvillim Arab Ekonomik,  Marëan A. Al-Ghanem, me të cilin ra dakord që të formojnë një grup të përbashkët punues për të identifikuar fushat e mundshme të investimeve dhe pastaj konkretizimin e tyre.
Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla sot mbajti para diplomatëve të rinj kuvajtian një ligjëratë, gjatë së cilës i njoftoi ata për rrugën e Kosovës deri në arritjen e pavarësisë së saj, si dhe sfidat rreth forcimit të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.

Në fjalën e saj ajo theksoi faktin që Serbia akoma nuk është e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën e saj hegjemoniste dhe gjenocidale ndaj fqinjëve të saj, duke bllokuar kështu proceset rajonale të bashkëpunimit dhe rrugën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Këtë fakt ajo e ilustroi me ngritjen e para disa ditëve të aeroplanit MIG29 në kufi me Kosovën, destabilizimin e Malit të Zi, paralizimin e Bosnjë Hercegovinës dhe rolit të Kishës Ortodokse Serbe.