Kosova

Germin: MPMS të informojë detajisht qytetarët e prekur për Marrëveshjen e Sigurimeve me Zvicrën

Nga 1 shtator 2019 hyri ne fuqi marrëveshja e re e sigurimeve shoqërore midis Kosovës dhe Zvicrës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media të NGO Germin.

Ky është një lajm i pritur me vite nga qytetarët, të cilët deri tash kanë qenë të privuar nga e drejta për pension nga Zvicra.

Pavarësisht nënshkrimit dhe ratifikimit në vitin 2019, diskriminimi mjerisht ende nuk ka përfunduar. Me marrëveshjen e re të ratifikuar, përjashtohen nga përfitimi i merituar shumë të prekur për një periudhë gati 10 vjeçare, duke iu shkelur të drejtën për të pranuar përfitimet që u takojnë nga sigurimet shoqërore.

Sidoqoftë, personat me të drejtë përfitimi me të drejtë presin nga institucionet e shtetit informim, mbështetje dhe ndihmë konkrete në paraqitjen e kërkesave për pension.

“Hapi i parë i nevojshëm është informimi i drejtë dhe gjithëpërfshirës. Duke parë që dhjetëra mijëra shtetas nga Kosova të prekur nga kjo marrëveshje ende përballen me sfida për të realizuar të drejtën e tyre kërkojmë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të informuar të prekurit dhe familjarët e tyre përmes fushatave informuese në televizionin shtetëror, mediat tjera publike dhe rrjetet sociale”, thuhet në komunikatën e NGO Germin.

Tutje thuhet se në mungesë të informimit dhe ofrimit të shërbimeve të rregullta për qytetarët e prekur nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, me mijëra të prekur dhe familjarë të tyre kanë mbetur të papërfaqësuar e të pambrojtur dhe jo rrallë edhe kanë rënë pre e spekulantëve dhe agjencive, të cilët i kanë dezinformuar ata me qëllime përfitimesh materiale. Përfituesit dhe të prekurit, me të drejtë, presin shërbime publike falas, që u takojnë dhe që u garantohen edhe me marrëveshjen bilaterale.

Germin, Sindikata Unia dhe platforma prointerga.ch bashkë me aktivistet/ët shqiptaro-zviceranë kërkojnë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) që pa zvarritje të mëtejme të ndërmarr një fushatë masive për të informuar publikisht dhe për t’u qëndruar pranë me ndihmë e mbështetje konkrete personale për të gjithë personat me të drejtë përfitimi nga marrëveshja e pensioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.