Bota

Gerarta Ballo, shqiptarja e parë që kandidon për Parlamentin Evropian në Itali

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se Gerarta Ballo është shqiptarja e parë që kandidon për Parlamentin Evropian në Itali.

Përmes një shkrimi në Facebook,  ka theksuar se, shembulli i Gerarta Ballo është frymëzim dhe nxitje për shqiptarët e tjerë, për të përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në Itali dhe në Evropë.

“Gerarta Ballo është shqiptarja e parë që kandidon për Parlamentin Europian në Itali. Si aktiviste dhe studiuese e mirë e emigracionit, me eksperiencë edhe në diplomaci, Geri ka spikatur si një zë i fortë i komunitetit të hershëm dhe të ri shqiptar në vendin fqinj. Shembulli i saj është frymëzim dhe nxitje për shqiptarët e tjerë, për të përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në Itali dhe në Evropë.

Por edhe tregues i integrimit të plotë, suksesit, punës e përkushtimit të emigrantëve tanë për të shërbyer në ndërtimin e një imazhi edhe më pozitiv për Shqipërinë, që synon të bëhet pjesë e BE.

Duke besuar se mbështetja e madhe e Arbëreshëve dhe shqiptarëve në Itali nuk do t’i mungojë në rajonet e Jugut të Italisë ku kandidon, i uroj shumë suksese Geri Ballos në garën për Parlamentin Europian”, shkruan Meta.