OPINION

Gënjeshtra e Çakorrit po vazhdon edhe në segmentin e kufirit me Serbinë!

Shkruan: Tomor ÇELA
Edhe pse sot jemi në kohë epidemie, gënjeshtra për vijën e kufirit të Kosovës vazhdon të rritet edhe më shumë nga matrapazët si ata, që e lëshuan gënjeshtrën e madhe për Çakorrin dhe 8.200 hektarët e rremë, duke mos bërë asgjë për të vendosur kufirin në Çakorr, Zhleb e Kullë. Sot kanë filluar të ndërtojnë një kauzë tjetër, me gënjeshtra edhe më të mëdha për segmentin e kufirit të Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë.

Për t’u ndërprerë rrugën e filluar këtyre keqbërësve, që me gënjeshtrat e tyre për kufirin me Malin e Zi i manipuluan politikanët dhe qytetarët, trazuan gjithë skenën politike, i vunë flakën institucioneve dhe e izoluan Kosovën në lëvizjen e lirë në hapësirën evropiane, është e domosdoshme që të aktivizohet komuniteti i profesionistëve dhe t’i dalin në mbrojtje institucioneve të shtetit, duke treguar se e vërteta e kufirit të Kosovës është e pastër si loti! Nuk duhet të hesht as prokuroria dhe organet tjera përkatëse shtetërore. Të gjithë ata që ngjallin frikë tek qytetarët dhe i bëjnë dëm vendit për kinse në segmentin e kufirit të Kosovës me Serbinë do të ketë probleme edhe më të mëdha, janë dashakëqij, të paditur dhe vërtet kanë nevojë për kontroll psikiatrik! Jam i bindur se skena politike dhe qytetarët tashmë e kanë kuptuar se këta pseudoekspertë janë gënjeshtarët më të mëdhenj këto vitet e fundit.

Të gjitha të dhënat administrative, kadastrale, profesionale-shkencore, statistikore dhe menaxheriale vërtetojnë se kufiri është i paprekshëm që nga viti 1974 e këndej, me përjashtim të segmentit me Maqedoninë e Veriut. Gjatë procesit të shënimit të vijës së kufirit të Kosovës me Maqedoninë, Kosova humbi një territor prej 191 hektarë (Debellde dhe Restelicë – bilanc negativ, ndërsa në Dimcë – bilanc pozitiv), ndërsa gjatë procesit të shënimit të vijës së kufirit të Kosovës me Malin e Zi, Kosova nuk humbë asnjë metër katror territor, sikundër që gjatë shënimit të vijës së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, Kosova nuk do të humbë asnjë metër katror territor.

Filozofia e matrapazëve se shënimi i vijës kufitare me Serbinë do të hasë në vështirësi të mëdha është gënjeshtër edhe më e madhe se ajo e Çakorrit dhe Zhlebit për faktin se ekzistojnë gjashtë pikat kufitare me Republikën e Serbisë (Bërnjak, Jarinje, Mërdar, Mutivodë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë), për të cilat ka mbulueshmëri me dokumentacion administrativ dhe marrëveshje të nënshkruar në mes dy shteteve, të garantuara ndërkombëtarisht (Plani i M. Ahtisarit). Kufijtë e sotëm të Kosovës shtrihen deri atje sa mund të mbulohen me dokumentacion administrativ, kadastral e menaxherial dhe mekanizma operacionalë në terren që kanë funksionuar për më shumë se shtatë dekada.

Këta manipulantë nuk mund të nxirren duke u tërhequr nga obligimet e marra dhe të paguara mirë (qindra mijëra euro!), por para tyre duhet të japin përgjegjësi penale, profesionale, akademike dhe materiale për gënjeshtrat që e penalizuan rëndë Kosovën. Kanë kohë vetëm deri në mesin e qershorit që t’i çojnë kufijtë deri në Çakorr e Zhleb kur skadon çdo bisedë me Malin e Zi për kufijtë! Kufijtë mbesin ku kanë qenë më se 75 vjet, të pakontestuar as nga popullata vendore, as nga pushteti lokal e as nga pushteti qendror!

Fatkeqësisht po provohet të manipulohen qytetarët edhe me supozimet për marrëveshje për shkëmbim të territorit dhe për kinse vështirësitë që do të dalin gjatë shënjimit të vijës së kufirit me Serbinë. Vendimet politike do të tregojnë se ku duhet të vendoset vija e kufirit në mes dy shteteve, duke u bazuar në dokumentacion administrativ e kadastral. Por nëse do të ketë marrëveshje të tillë, ajo në çdo variant do të jetë shumë e dëmshme për Kosovën.

Kësaj radhe i kurseva pak pseudoekspertët! Pas Corona Virusit, shihemi e dëgjohemi!