Gjeopolitikë

Gënjeshtra dhe e vërteta

Një ditë vape vere, kur Prishtina kishte lumin e saj, që kalonte pranë pazarit, po laheshin në të e vërteta dhe gënjeshtra. Të dyja kishin zhveshur rrobat e trupit dhe i kishin lënë në breg. Dikush i pa, e tha: shihni, shihni, e pabesueshme “e vërteta dhe gënjeshtra po lahen bashkë”! Ato, të dyja e shikonin njëra-tjetrën me inat. Të dyja përpiqeshin t’i tregonin njëra-tjetrës se sa të zonjat janë, duke u zhytur nën ujë kokë-e-këmbë, duke mbajtur frymën përbrenda, cila më shumë se tjetra?

Mbi syprinën e ujit e para që nxori kokën ishte gënjeshtra. Doli në breg, veshi rrobat e së vërtetës, të sajat i futi në një thes dhe u nis duke kuvenduar zëshëm e nënzëshëm pazarit. Kur e vërteta nxori kokën mbi ujë, pa se rrobat e saj nuk janë aty! S’kishte si të dilte në breg ashtu lakuriq. Ndenji tërë ditën në lumë, u mavijos nga të ftohtët e mbrëmjes, derisa tregtarët morën rrugët dhe rrugicat, për të ikur në shtëpitë e tyre. Provoi të kapërcente pazarit, ashtu lakuriq, duke mbajtur veshët me duar nga ato që kishte dëgjuar për vetën e saj tërë ditën, ku papritmas i doli përpara ajo, që i kishte vjedhur kostumin në breg të lumit.

E vërteta u mblodh kaculaz, duke hedhur shikimin lart për të parë kostumin e vet të larë e të praruar në trupin e gënjeshtrës hijerëndë, tek verbonte stolisur me të gjitha salltanetet, që ia kishin falur besimtarët e ditës së pazarit të Prishtinës. E vërteta nuk kishte mbrojtje tjetër përveç vetëmbrojtjes, tek nuk hezitoi t’i thoshte asaj: moj rralloshe, përpjekjet tua të ethshme e djallëzore nuk janë gjë tjetër veçse mundime donkishotiane. – Meqë të zura në pazar, tha gënjeshtra, hip në peshore, dua të matemi, urdhëroi ajo? E vërteta nuk donte të peshohej me të, në asnjë mënyrë, por ajo (gënjeshtra) e shkelmoi disa herë, derisa e vërteta u gjend e përmbledhur kokë e këmbë në njërën nga peshoret, ku peshoheshin drithërat e pazarit.

Peshorja nuk lëvizi. E vërteta hodhi shikimin e prajshëm në anën e kundërt për të parë gënjeshtrën, e cila nuk ishte vetëm, e cila shkelmonte, bërtiste e ulërinte, njëzëshëm me gojët e matrapazëve, falsifikatorëve, diletantëve, djallëzorëve, shpirtzinjve dhe mendjeprishurve. E prajshmja ngeli me sy përpjetë, sepse të gjithë qëndronin me lart se ajo, sepse të gjithë nuk peshonin sa ajo, nuk peshonin sa e vërteta. Gënjeshtra u hidhërua fort, nxori nga nënbanaku një shoshë me diametër të gjerë dhe e përplasi mbi trupin e së vërtetës, duke e mbuluar atë, me “natë të mirë”.

Kishte harruar ajo se vetëm dielli dhe e vërteta nuk mbulohen me shoshë. Kësaj radhe koka e së vërtetës nuk ishte objektivi i gënjeshtrës, siç ndodhë zakonisht. Ajo iku atë natë, bashkë me njerëzit që peshonin në anën e saj, për tu kthyer përsëri, për ta jetuar edhe të nesërmen pa ndjeshmërinë e përgjegjësisë, që shtrihet mbi të vërtetën.

Plepat, pylli i gështenjtë, peizazhi i zabeleve, bimësia e harlisur rreth lumit të Prishtinës pakësoheshin përditë, rrënoheshin çdo vit, duke u lënë vend kasolleve, përtrollëseve, shtëpive, rrugëve e pallateve. E mbytën edhe lumin! E vërteta nuk kishte pse të lahej, ndërsa gënjeshtra nuk kishte ku të lahej. Ajo (gënjeshtra), mbeti kastor i brigjeve të lumit të nëndheshëm, duke ushqyer kastriqët e saj udhëve frymëzënëse të një qyteti pa lumë.

Prishtina mblodhi gjithçka, krijoi shumëçka, i dhamë çka patëm e na dha çka nuk patëm, por asnjëherë nuk arriti krijojë një “lëvizje për katarsis”, që në mos tjetër, së paku të pastrojë të përtharat hundëve gënjeshtare të kryeqytetit. Gënjeshtra mbeti morali i shterur te disa nga njerëzit dhe mediat e saj. 
Prishtina me lumë, deri te kryeqyteti pa lumë, nuk arriti të bëj hapin e madh në epokën e re të qytetërimit, ku ndëshkohen si krim gënjeshtra dhe mashtrimi.

Ka kohë që disa nga mediat, disa nga individët e këtyre mediave kanë gatitur skuadrën e pushkatimit përballë të vërtetës! Panairi barbarozë vazhdon të jetë ushqim për besimtarët e lajmeve të pa-verifikuara, të shtrembëruara e të sajuara; fatkeqësisht, ka filluar të ndotë edhe ndonjërin nga deputetet edhe ndonjërin nga kryetarët e komunave!

Askush nuk mund ta pengojë askënd që ta veshë një kostum çfarëdo qoftë ai ( i ushtrisë amerikane, i ushtrisë gjermane, i gardës mbretërore angleze, apo i trupave komando të Shqipërisë), kostum i cili do të shërbejë për ndonjë shfaqje në teatër, në film apo për ndonjë ceremoni festive kudo që ndodhë ajo. Sa larg mund të shkojë hipokrizia e këtyre mediave dhe njerëzve që u besojnë atyre se: garda, togu ceremonial i saj, paska kaluar kufirin me Maqedoninë, kur dihet se ajo (Garda) ende nuk ka shkelur në të gjithë hapësirën e Kosovës. Ngjyrat e një kostumi të vetëm që i ngjanë kostumit të bendit muzikor, e që në ketë rast e ka veshur një muzikant që nuk ka lidhje me FSK-në, kam menduar se do tu pengojë maqedonasve e jo shqiptarëve, jo mediave shqipfolëse.

Përditshmëria e këtyre mediave në Kosovë, vjen e pakuptueshme për publikun e ndershëm, sepse përbëhet nga bisedime e marrëveshje sunduese, që shtrembërojnë përpjesëtimet e jetës, pa u frikësuar se ato (mediat dhe gazetarët gënjeshtarë) një ditë do të ecin kokëposhtë, pa më të voglën fuqi që të ngrijnë kokën e të na shohin drejtë në sy. Ata e dinë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra siç thotë populli, por gjithmonë harrojnë se edhe ata vet janë të përkohshëm në këto mundësi, ku tash për tash po kënaqen. Janë bërë gojëkëpucë të thashethemeve, gjahtarë të zakonshëm të pasurive, lumenj që vërshojnë gjithçka, pa e besuar të besueshmen se çdo lumë mund të kthehet në kënetë, aty ku përfundimisht venitën shkëlqimet e tyre njëditore.

E vërteta ka folur, ka brohoritur, ka mbijetuar, ka shkruar, ka kënduar dhe, ka lënë porositë e gurëthemelta në formimin vleror njerëzor, duke mbetur qëndrueshëm në kujtesën e pamjes dhe jehonës së brezave. E vërteta do të jetojë gjithmonë në stolinë e saj.