SHËNDETËSIA

Gecaj – Gashi: Anestiziologët, kategoria më e rrezikuar nga Covid-19

Agreta Gecaj – Gashi, anesteziologe, në “Express Intervistën” ka thënë se anesteziologët janë personat që më së shumti janë të ekspozuar ndaj Covid-19 dhe janë më të rrezikuarit për shkak të afërsisë që kanë me pacientët pozitivë.

Tre mjekë dhe një mami në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, të enjten.

E kjo sipas saj ka ndodhur për shkak se mjekët nuk kanë qenë shumë të mbrojtur, pasi pacientja nuk kishte simptoma të Covid-19.

“Nuk dihet burimi i infeksionit, por i gjithë stafi mjekësor është i rrezikuar. Para disa ditësh ka qenë një paciente që ka ardhur nga Peja, e cila nuk kishte shenja, por më pas ka rezultuar me Covid-19. Aty stafi kanë qenë të mbrojtur por jo në atë masë sa kur keni të bëni me një të infektuar, pasi s’e kanë ditur se ishte pozitive. Komplet stafi kirurgjik dhe janë dy anesteziologe dhe katër infermierë të cilët janë vetëizoluar. Një pjesë e stafit është testuar, pjesa tjetër besoj se testohen nesër”, ka thënë Gecaj-Gashi.

Ajo ka bërë të ditur se anesteziologët janë shumë të rrezikuar për shkak të afërsisë që kanë me pacientët.

“Ata që janë të ekspozuar më tepër. Çdo ditë janë gjashtë pika, si dhe repartet që mbulohen nga anesteziologët. Në atë kohë kontakti ynë me pacientin është shumë i afërt, pra jemi larg 20-30 centimetra larg gojës së pacientin. E sado që jemi të mbrojtur. Jemi të rrezikuar mjaft, apo të themi jemi kategoria më e rrezikuar për shkak të kontaktit me rrugët ajrore të pacientit”, ka thënë ajo.

Gecaj – Gashi shton se programi i rregullt është ndërprerë në QKUK, por kjo varet edhe prej rasteve, derisa shton se refuktim nuk ka pasur vetëm në gjinekologji.

“Gjinekologjia, ndoshta është e pamundur që të reduktohet programi i rregullt. Psh, vetëm dje janë kryer 28 raste”, ka thënë ajo.

Gecaj-Gashi ka bërë të ditur se anesteziologu kyçet në momentin që i përkeqësohet gjendja e pacientit.

“Në Klinikën Infektive është mjekim intensiv, ku janë shtatë shtretër, ata pacientë që kërkojnë mbështetje respiratore, monitorim të vazhdueshëm, për ta përkujdeset anesteziologu. Ne kujdestarojmë 24 orë dhe ata janë më të rrezikuarit. Përgjegjësia është shumë e madhe, ekspozimi është shumë i madh. Këto ditë edhe stafi i mesëm është shumë i ngarkuar dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme”, u shpreh Gecaj-Gashi.

Pacientët më të rrezikuar nga Covid-19 sipas saj janë ata që kanë probleme me frymëmarrje, ata me diabet dhe obezët.

“Edhe më parë kemi pasur përvojë me pacientët në pandemitë e më hershme. Ata që kanë probleme me rrugë të frymëmarrjes normal që janë më të prirur me pasë komplikime. Pacientët që kanë diabet janë më të rrezikuar, po ashtu edhe obezët. Mirëpo ky virus nuk i atakon vetëm rrugët e frymëmarrjes, por atakon edhe sistemin qendror nervor, veshkat, e atakon komplet organizmin e pacientit. Diabeti në përgjithësi atakon imunitetin, por reagimi ndaj kësaj sëmundje është individual te secili pacient”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë të ditur se pacientët me gjendje të përkeqësuar intubohen, “pra aty është respiratori, dhe ventilatori mekanik e kontrollon punën e mushkërive, dhe pacienti është i monitoruar gjatë gjithë kohës për të gjitha sistemet. Pacientët po vdesin realisht në momentin kur po harxhohen të gjitha rezervat”.