INTERVISTA

Gazetaria sportive ndërmjet identitetit dhe imitimit!

Gazeta, si formë e shtypur në mbarë botën po ballafaqohet me sfida dhe këtyre sfidave kanë arritur që t’i mbijetojnë një numër shumë i vogël i gazetarëve, magazinave apo revistave sportive. Trendi i përdorimit shumë të lartë të internetit dhe varësisë nga bota e lajmeve që “klikohen”.

Kështu ka thënë në një intervistë për Kosova.info, Artan Muhaxhiri, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës (SHGSK).

Kosova.info: Mund të na rrëfeni një historik të shkurtër të Shoqatës: ku ishte, ku është sot dhe çka mund të presim në të ardhmen nga udhëheqja e re?

Artan Muhaxhiri: Shoqata e Gazetarëve Sportivë e Kosovës (SHGSK) erdhi si iniciativë e gazetarëve të sportit, që menjëherë në periudhën e pas luftës, filluan të organizoheshin me qëllim të faktorizoheshin dhe në mënyrë grupore të kontribuonin për komunitetin e gazetarëve sportivë.

Mbase edhe në atë kohë, kishte dilema nëse ky komunitet duhej të ishte pjesë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, apo të vepronte si shoqatë e ndarë.

Opsioni i dytë erdhi në shprehje, duke ndjekur shembullin botëror, ku në secilin shtet të botës, komuniteti i gazetarëve sportivë vepron si organizatë e veçantë.

Sot SHGSK numëron rreth 120 anëtarë, përfshirë gazetarët sportivë, producentët, kameramanët dhe foto-reporterët.

Bordi i kaluar që ushtroi aktivitetin e vet nga 2015-2019, ishte i vetmi që arriti ta qojë një mandat deri në fund, sepse organizimi i mirëfilltë ka qenë pika më e dobët e kësaj shoqate.

Në vitin 2015, SHGSK u bë anëtare e organizatës botërore të gazetarëve sportivë (AIPS-a) dhe në vitin 2018 edhe anëtare e Asociacionit të gazetarëve Sportivë të Evropës Juglindore (SEESJA).

Kosova.info: Jeni të kënaqur me nivelin profesional dhe sasior që ka shoqata?

Artan Muhaxhiri: Në bordin e SHGSK 2019-2023, që udhëhiqet nga presidenti Edmond Thaçi, përveç pozitës së presidentit janë edhe 5 anëtarë të bordit.

Presidenti Thaçi do ta ketë mundësinë e kooptimit të një anëtari tjetër, sipas të drejtës që i jep statuti i SHGSK-së, e cila funksionon si OJQ.

Bordi aktual është zgjedhur në mënyrë demokratike nga institucioni më i lartë – kuvendi dhe ka përfaqësues edhe nga gazetaria e shkruara (portalet), radio edhe TV.

Kosova.info:Kush e ndihmon Shoqatën tuaj në zhvillimin e aktiviteteve te saj. Pra kush janë financuesit e saj?

Artan Muhaxhiri:Deri tash SHGSK në aktivitetin e saj kryesor që e mban për të zgjedhur më të mirët e vitit, është bazuar në mbështetjen e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.

Në 4 javët e para të bordit aktual, SHGSK ka zhvilluar një mori takimesh me afaristë dhe përfaqësues të biznesit, të cilët e kanë shprehur vullnetin e bashkëpunimit dhe mbështetjes së SHGSK-së.

Kësisoj, ne kemi arritur te marrëveshja e parë e bashkëpunimit me “Villa Luxor” në Trogir të Kroacisë, me pronar Asdren Gjokaj, e po ashtu ndihmesë në këtë fillim SHGSK-së i kanë dhënë edhe dy bizneset tjera Agjencioni “Visi dhe Exim Metal”, me të cilët pritet që të konkretizohen marrëveshjet për vitin 2020 me ndihmë akoma më konkrete.

Në kuadër të kësaj, drejtuesit e SHGSK-së në fund të nëntorit do të vizitojnë Zvicrën ku në disa takime me bashkatdhetarët tanë, do të sigurohen fonde për zhvillimin e një mori aktivitetesh në vitin 2020.

Kosova.info: Keni njohuri se sa është numri i mediave sportive që veprojnë në Kosovë?

Artan Muhaxhiri: Në fillim të mandatit të ri, bordi I SHGSK-së do të ketë për detyre ri-vlerësimin e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve sportivë.

Një evidentim në formë regjistrimi ishte bërë më herët, por sigurisht nga ajo kohë ka patur lëvizje e madje edhe raste kur gazetarët ose kanë migruar jashtë vendit, ose kanë ndërruar profil dhe kanë kaluar në mbulim të ngjarjeve tjera.

Media ekskluzive vetëm për sport janë evidente vetëm në portale, gazetarinë e shkruar, ku veçohen Gazeta OLLE dhe TopSporti, ndërsa në Kosovë tashmë operojnë edhe platforma televizive që ofrojnë vetëm transmetime të sportit, por ato nuk janë të pasuruara vetëm me sport vendor.

Kosova.info: Kosova me gjase është një ndër shtetet e rralla qe nuk ka gazetën e shtypur sportive? Ku janë shkaqet?

Artan Muhaxhiri: Gazeta, si formë e shtypur në mbarë botën po ballafaqohet me sfida dhe këtyre sfidave kanë arritur që t’i mbijetojnë një numër shumë i vogël i gazetarëve, magazinave apo revistave sportive. Trendi i përdorimit shumë të lartë të internetit dhe varësisë nga bota e lajmeve që “klikohen”.

Kosova.info: Ndërkohë Shqipëria ka madje rreth 15 gazeta dhe revista sportive. Si e shpjegoni këtë fenomen?

Artan Muhaxhiri: Ndërlidhja dhe suksesi i tirazhit në rastin e gazetarisë së shkruar, është ngushtë i ndërlidhur me botën e biznesit.

Kjo e fundit, pak ose aspak e ka mbështetur deri tash në Kosovë, komunitetin e gazetarisë sportive. Arsyet mund të jenë të ndryshme, ndërsa kjo qasje ka tendencë të ndryshimit, sepse jemi duke bërë përpjekje ta përmirësojmë këtë ngecje dhe të kemi një prezantim serioz të bizneset që duan të jenë pjesë e komunitetit të gazetarëve sportivë.

Kosova.info: Shoqata ka dy aktivitete zyrtare që i zhvillon brenda viti. Madje, janë tradicionale… A do të zhvillohen edhe sivjet?

Artan Muhaxhiri: E saktë! Deri tash SHGSK I ka patur dy aktivitete bazë:

Ceremonia “Ali Shala”, e shpalljes së gazetarëve të dalluar të vitit

Turneu i futsallit “Burim Hatipi”, që mban emrin e ish-gazetarit sportiv dhe ish-futbollistit të njohur.

Këto janë dy aktivitete njëditore, që vitin e ardhshëm do të mbahen më 31 janar 2020.

Krahas këtyre aktiviteteve, në vitin 2020 SHGSK-në e pret edhe pjesëmarrja në Kongresin e 83-të të AIPS-as, që nga 3-6 Shkurt 2020 mbahet në Budapest të Hungarisë.

Në kalendarin e SHGSK-së, në vitin 2020 do të jenë edhe rreth 15 aktivitete tjera.

Në fillim të vitit 2020 do të lëshojmë në funksion edhe kartelat e reja të SHGSK-së, ndërsa tashmë kemi aranzhuar takimet edhe me 7 prej ambasadave të disa prej shteteve evropiane që na lidhin kontaktet, përmes gazetarisë sportive.

Leave a Reply

Your email address will not be published.