Kosova

Gati gjysma e kosovarëve të pakënaqur me diplomacinë, përgjigjet MPJ-ja

Më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës janë të bindur se Serbia ka dobësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare me fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve.

Në raportin Politika Ndërkombëtare dhe Partitë Politike: Perceptimet e Qytetarëve të Kosovës, e hartuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe i mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung, ka matur edhe përshtypjet e qytetarëve për politikën e jashtme të Kosovës.

Në përgjithësi, 52.1% e qytetarëve vlerësojnë se fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve e ka dobësuar Kosovën ndërkombëtarisht, thuhet në raport.

“Nënpyetja për të matur sasinë e dëmit ka vlejtur vetëm për respondentët që kanë zgjedhur përgjigjen “po” (se fushata e tërheqjes së njohjeve e ka dëmtuar Kosovën ndërkombëtarisht). Prej tyre, 23.4% besojnë se kjo fushatë e ka dëmtuar Kosovën “shumë” dhe e njëjta shifër vlen edhe për përgjigjen “deri diku”. Vetëm 5.3% e këtij porcioni të respondetëve besojnë se dëmi i shkaktuar nga fushata për tërheqjen e njohjeve mund të cilësohet si i pakët për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në raport.

Përveç mungesës së njohjeve, Serbia ka ndërmarrë një fushatë për anulimin e njohjeve dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Sipas zyrtarëve të shtetit serb, deri tani ka shkuar në 10 numri i shteteve që e kanë çnjohur Kosovën. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në vazhdimësi kanë mohuar çnjohjet, por këtë nuk e kanë dëshmuar edhe me nota verbale.

Fushatë ta ashpër kundër Kosovës Serbia ka bërë edhe me rastin e anëtarësimit në Interpol. Pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm, Qeveria e Kosovës vuri taksë 100 % për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Kjo ka bërë që Serbia të heqë dorë nga dialogu, e të vë kusht heqjen e taksës për t’u kthyer në tryezën e dialogut.

Respodentët janë pyetur rreth varësisë së shtetësisë së Kosovës nga njohja e saj ndërkombëtare

“Pyetja ka mëtuar të masë perceptimet e qytetarëve kosovarë në ndërlidhjen ndërmjet shtetësisë së Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare, më saktësisht, se a varet ekzistenca dhe qenësia e shtetit të Kosovës nga njohja prej aktorëve të tjerë. Respondentët kanë mundur të përgjegjen me “po”, “deri diku”, “jo” dhe “refuzoj të përgjigjem”. Shumica e qytetarëve mendojnë se qenësia e Kosovës si shtet varet nga njohjet ndërkombëtare. Me “po” janë përgjigjur 50.2%. Vetëm 9.3% e qytetarëve mendojnë se shtetësia e Kosovës nuk varet fare nga njohja e saj ndërkombëtare”, thuhet në raport.

Ndërsa pyetja “Sa jeni të kënaqur me politikën e jashtme dhe diplomacinë e Republikës së Kosovës”, lidhet me përshtypjet e qytetarëve kosovarë me politikën e jashtme dhe diplomacinë e Republikës së Kosovës.

“Nga rezultati shihet se 46.2% e qytetarëve kanë përgjigje negative, duke cekur se janë ‘të pakënaqur’ ose ‘aspak të kënaqur’ me politikën e jashtme dhe diplomacinë e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, 25.6% e vlerësojnë punën e institucioneve të politikës së jashtme pozitivisht, por nga kjo shifër vetëm 3.8% u deklaruan maksimalisht të kënaqur”, thuhet në raportin e hartuar nga Butrint Berisha.

Koha.net ka pyetur Ministrinë e Punëve të Jashtme, në lidhje me këto të dhëna. Fatmir Haxholli, këshilltar në MPJ ka thënë se ky dikaster inkurajon nisma që si synim kanë matjen e opinionit publik. Por nuk ka komentuar faktin se gati gjysma e qytetarëve të Kosovës janë të pakënaqur me punën e diplomacisë kosovare.

“Në fakt, është e ditur që hulumtimet e kësaj natyre kanë si qëllim parësor përmirësimin e proceseve dhe zhvillimeve institucionale. Në lidhje me shqetësimet publike ndaj fushatës së Serbisë, është e qartë që Serbia ka përdorur dhe po përdor një fushatë agresive, ndaj të cilës qytetarët tanë reagojnë në forma të ndryshme, gjithmonë legjitime. Ajo çfarë secili nga ne do të pajtohej në një anketim të tillë, është se vetëm synime pozitive nga ky lloj agresiviteti i Serbisë nuk ka dhe nuk mund të priteshin. Në anën tjetër, mënyrat se si të anketuarit e interpretojnë këtë agresivitet, janë gjithmonë ato të duhura”, thuhet në përgjigjen e Haxhollit.

Ai ka thënë se MPJ-ja ka nevojë për hulumtime të ngjashme edhe për tema tjera të politikes së jashtme dhe diplomacisë, “sepse kjo na mundëson qasje proaktive ndaj kërcënime me të cilat Kosova ballafaqohet në rrafshin e politikës së jashtme”.

“Kjo qasje është praktike e cila aplikohet nga të gjitha diplomacitë e shteteve të zhvilluara, prandaj analizat e tilla në ardhmen do të duhej të komisionohen tek individë dhe organizata të specializuara në përcjelljen e trendeve të kërcënim-rreziqeve dhe funksionimit institucional. Kjo i shërben ndërtimit të një fryme dhe klime sociale dhe institucionale, ku ne mund të ndërtojmë një qasje pragmatiste në adresimin e sfidave dhe arritjen e objektivave”, ka thënë Haxholli, duke i bishtnuar kritikave që kanë qytetarët e Kosovës për diplomacinë.

Nga ana tjetër, duke dëshiruar të mësohen përshtypjet e kosovarëve mbi aspekte të fuqisë dhe sovranitetit të Kosovës, ata janë pyetur sa a duhet Kosova të bëjë më shumë për të krijuar politikë të jashtme të pavarur nga interesat e SHBA-së dhe BE-së, thuhet në raport.

“Respondentët kanë mundur të zgjedhin ‘po’, ‘jo’ ose ‘refuzoj të përgjigjem’. Rezultatet vënë në pah se qytetarët besojnë fuqimisht se Kosova duhet të tentojë të pavarësojë politikën e saj të jashtme dhe të tentojë të forcojë sovranitetin e saj. 65.1% e qytetarëve kanë zgjedhur përgjigjen ‘po’”, thuhet aty.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483