EKONOMI

Gastronomët: Urgjentisht të hiqen masat e vendosura, as mos të mendohet mbyllja totale

Shoqata e Gastronomëve i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të largohen masat e vendosura që lidhen me këtë sektor, pasi masat e vendosura janë treguar joefektive.

Gastronomët me anë të një reagimi publik, kanë thënë se, Qeveria as të mos mendoj mbylljen totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare.

“Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56 për qind e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna. Në këto rrethana, urgjentisht ju bëjmë thirrje që këto masa të hiqen, si jo efektive, e aq më pak të mendohet mbyllja totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare në ekonomi”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Kujtojmë se ditë më parë, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masa kundër përhapjes së COVID-19, siç janë shkurtimi i orarit të punës për bizneset dhe vendosja e orës policore për ato qytetet që kanë numër të lartë të infektimeve nga kjo sëmundje.