Kosova

Gashi: Ramushi ndali ndarjen e Pejës, Thaçi mund të krahasohet me Rugovën

Ish-zëvendësministri i Financave nga AAK në qeverinë e kaluar, Fatmir Gashi ka qenë i ftuar në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini.

Gashi ka thënë se Ramush Haradinaj është ai që ka ndalur ndarjen e Pejës në vitin 1999.

“Ne si qytetarë të Pejës duhet ta nderojmë Ramushin pasi ky ka qenë ai që nuk ka lejuar ndarjen e qytetit në dysh ashtu siç ka mbetur Mitrovica. Telat vetëm se kanë qenë te shtëpia e mallrave, por ky ka reagua dhe sot e kemi qytetin e bashkuar”.

Duke komentuar figurën e kryeministrit Albin Kurti, Gashi ka thënë se ai ka qenë një revolucionar por me hyrjen në qeveri ai ka ndryshuar shumë, përcjell Telegrafi.

Gashi kritikat kryesore në drejtim të Kurtit i ka bërë në raport me premtimin për largimin e taksës.

Për presidentin Hashim Thaçi, ai ka dhënë vlerësime të larta.

“Prej çlirimit deri sot është një figurë kyçe e politikës e cila mund të krahasohet me Ibrahim Rugovën. Ka bartur shumë procese të rëndësishme deri më tani”, tha ndër të tjera Fatmir Gashi.