Kosova

Gashi pretendon se KEDS-i ia ka cenuar edhe privatësinë

Rashit Gashi, të mërkurën është u përjashtuar nga puna prej KEDS-it, atje ku punonte që 13 vjet.

Në Express Intervistën në KTV, ai pretendon se shkak i përjashtimit të tij u bë angazhimi i tij sindikal

“Gjatë orarit, në përfundim të punës, u thirra se kam takim me drejtorin. Takimi ishte i shkurtër por tendencioz, më tha faleminderit për kontributin dhe nga sot mos eja në punë. S’kemi nevojë për shërbimet tuaja dhe kaq, s’më dha asnjë informacion”, tha ai, duke shtuar se “Unë përfaqësoj mbi 1 mijë punëtorë, kjo shkel të gjitha rregullat e ligjet”.

Gashi tha se beson se përjashtimi i tij u bë për shkak të angazhimit të tij sindikal. “Edhe javën e kaluar ndodhi një largim. Por, ai s’ka qenë anëtar sindikal”, tha ai.

Ai thotë se me vendimin për largimin e tij, KEDS-i nuk e ka respektuar institucionin e Sindikatës, duke shkelur Ligjin mbi organizim sindikal për imunitetin që kanë anëtarët e saj.

Gashi thotë se nga menaxhmenti, nuk ka marrë asnjëherë kritika.

“Më është cenuar edhe privatësia. Psh, në pushime më kanë përcjellë”, tha ai.

Numri i të përjashtuarve nga KEDS-i ka shkuar mbi 300.

“Mua asnjëherë s’më kanë trajnuar. Asnjëherë s’janë marrë me mua. Angazhimi im sindikal është e vetmja arsye pse më larguan. Ndërmarrja KEDS ka qëllim ta shuajë zërin sindikal”, thotë ai.

Ky rast, thotë ai, ka të bëjë vetëm me institucionin sindikal.

“Më 10 janar bordi kishte marrë vendim për ristrukturim të bordit”, thotë ai, duke theksuar se atij i është kumtuar dje. Gashi, beson se do të ndodhin ende ndryshime brenda ndërmarrjes.

Gashi gjithashtu pretendon se menaxhmenti u ka ndërhyrë edhe në vikende e pushime. Sipas tij, pauza gjatë orarit të punës ishte vetëm 30 minuta. “Këtë na kanë obliguar ta bëjmë 30 minuta, s’mundemi as të ushqehemi shëndetshëm”, tha ai.

Sipas tij, “punëtorët obligohen të punojnë edhe vikendeve”, e më pas, sipas tij, të deklarohen se kanë dalë vullnetarisht në punë.

Sipas Gashit, në KEDS ka punësime të shumta familjare e partiake.

Ai thotë se i është cenuar e drejta për jetesë e ekzistencë.

“Nuk më punojnë as vëllezërit as nëna as gruaja, më është cenuar e drejta për jetë”, u shpreh ai.

Gashi, ishte sekretar në federatën e sindikatave të pavarura “Elektrokosova”.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483