Kosova

Gashi: E çuditshme se si LDK e konteston Thaçin, kur kjo parti e bëri President

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi, duke folur rreth udhëheqjes së dialogut me Serbinë nga presidenti Hashim Thaçi, thotë duhet të respektohet autoritetit i tij kushtetues.

Gashi tha se nëse nuk iu pëlqen presidenti si udhëheqës i dialogut, atëherë duhet të fillohet procesi i shkarkimit të tij.

“Me Kushtetutë presidenti i Kosovës edhe e përfaqëson Kosovën jashtë edhe ka të drejtë në nënshkruajë ose të marrë pjesë në bisedime të tilla. Pra nuk është se presidenti Thaçi është duke bërë ndonjë shkelje sa i përket rolit të tij institucional. Natyrisht që presidenti Thaçi do të duhej të kishte një konsensus më të gjerë politik sepse do të i ndihmonte procesit edhe atij vetë si individ dhe ka një konsensus sa i përket përfaqësimit institucional që duhet të jetë presidenca, duhet të jetë parlamenti i përshirë në bisedime, duhet të jetë qeveria edhe partitë politike”, tha Gshi, për Ekonomia Online.

Gashi tha se është e çuditshme se si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është duke e kundërshtuar presidentin që të zhvillojë këto bisedime pasi që në fillim po e njëjta parti ka qenë mbështetëse e tij për president

“Me të vërtetë është çudi kur LDK-ja sot del me kundërshtuar Hashim Thaçin dhe e dimë që ata këmbët i kanë thyer me e bërë Hashim Thaçin president dhe kanë hy në konflikte të brendshme partiake. Kanë bërë shit-blerje të posteve politike. Sot i kemi dy ambasadore të LDK-së, që janë rrjedhojë e këtyre bisedimeve të presidentit Thaçi”

“…sot po e njëjta parti me dalë me kundërshtuar legjitimitetin e të njëjtit njeri që deri pak më shumë se një viti nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta bërë president. Tani duhet LDK ose disa individë të LDK-së të sqarojnë opinionin se si u bë i keq tash për një kohë kaq të shkurtër, kurse LDK është parti institucionale që duhet të respektoj institucionet dhe presidenti është institucion”, tha Gashi.