Kosova

Garë e nxehtë në Podujevë

Partitë politike në Podujevë dje kanë nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore.

Nexhmi Rudari i LDK-së, Naim Fetahu i PDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i VV-së, kanë nisur takimet me qytetarë e aktivistë partiak, derisa të tre synojnë karrigen e të parit të Podujevës.

Madje për të njëjti nuk është duke munguar as përkrahja partiake. Kështu nga LVV-ja sot është paraqitur edhe një sondazh që e ka shpallur Shpejtim Bulliqin fitues të zgjedhjeve. Sipas Besnik Bislimit, 46.8% e qytetarëve do të votonin për Shpejtim Bulliqin, 42% për Nexhmi Rudarin, kurse 11.2% për Naim Fetahun.

I bindur për fitore është edhe vet Bulliqi. Në një bisedë ai tha se çështja e fituesit është e mbyllur dhe se ai do të jetë kryetar i Podujevës.

“Fushata është duke shkuar shumë mirë. Po bisedojmë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me anëtarësinë tonë në Podujevë. Këtë jemi duke e bërë gjithmonë duke i respektuar rregullat, masat dhe shëndetin publik të qytetarëve tani.  Gjithçka është duke shkuar në rregull dhe pa telashe, procesi është duke shkuar siç është më së miri. Kjo çështje është e mbyllur dhe unë do të jem kryetar i Podujevës”, ka thënë Bulliqi.

Në ndërkohë Naim Fetahu kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të kësaj komune ka thënë për Express se kontakti me qytetarë është i vazhdueshëm dhe se pret që ai t`i fitoj zgjedhjet komunale.

“Dje ka filluar fushata. Rrjedha e saj deri më tani është e mirë dhe e qetë. po kontaktojmë me qytetarë kohë pas kohe në baza ditore, në forma të ndryshme aq sa po na e lejon situata me Covid-19 dhe unë besoj që do të jem fituesi i zgjedhjeve të 29 nëntorit që do të mbahen të dielën”, ka thënë Fetahu i PDK-së për Express.

Gazeta ka provuar gjatë ditës të kontaktojë edhe me Nexhmi Rudarin por i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Lidhur me kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore dhe me ndikimin që ka pasur pandemia në të janë deklaruar edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Express se pavarësisht pandemisë, KQZ-ja ka qenë e obliguar ligjërisht që të vendos një afat kohorë për fushatën.

“Është e qartë se jemi në kohë pandemie, ku ka shumë masa kufizuese, megjithatë përcaktimi i kohës për fushatën zgjedhore është detyrim ligjor për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Subjektet politike pjesëmarrëse në një proces zgjedhor e kanë për detyrim ligjor që të dorëzojnë në KQZ raportin e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore 45 ditë pas ditës së zgjedhjeve, prandaj përmbushja e këtij detyrimi ligjor mund të bëhet vetëm duke përcaktuar periudhën e fushatës zgjedhore. Periudha e fushatës zgjedhore në këto dy komuna, përmbyllet të premten, më 27 nëntor 2020”, ka thënë Elezi për Express.

Në ndërkohë sot gjatë ditës Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj mënyrës së mbajtjes së fushatës para zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës.

IKD-ja ka vlerësuar se organizimi i tubimeve zgjedhore nga LDK-ja, PDK-ja dhe VV-ja janë në kundërshtim me masën e ndalimit të të gjitha tubimeve publike për fushatën zgjedhore gjatë zgjedhjeve lokale.  Sipas tyre mos respektimi i këtyre masave nga ana e të tri (3) partive politike paraqet kundërvajtje sipas Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikës së Kosovës.

Kështu  IKD-ja  i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që edhe në raport me partitë politike të veprojnë në përputhje me dispozitat e këtij ligji, dhe mos të tregojë qasje selektive ndaj politikave në raport me qytetarët, të cilët sanksionohet vazhdimisht për shkelje të kësaj natyre. Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen këtë të diele.