SPORT

Futbollisti shqiptar që luan në Kinë e tmerron Koronavirusi

Koronavirusi ka pushtuar Kinën dhe kjo ka shqetësuar pa dyshim edhe të vetmin lojtar shqiptar që luan në Ligën e Parë të shtetit aziatik, Albi Alla.

Mbrojtësi 27- vjeçar që ka luajtur me Bylisin, Kukësin dhe Flamurtarin në Kategorinë Superiore, u aktivizua nga muaji mars deri në tetor të vitit 2019 me klubin kinez, Shanxi Çang Atletik.

Vetëm një muaj më parë ai rinovoi kontratën me këtë skuadër, ndërsa Koronavirusi nuk ishte ende i përhapur në masë.

Alla firmosi për 3 vite me kinezët, teksa do të përfitojë në total 1.5 milionë dollarë.

Por, çfarë do të ndodhë tashmë me lojtarin?

A ka frikë ai të udhëtojë drejt Kinës? Çfarë i kanë thënë drejtuesit dhe ku ndodhet tani?

Të gjitha këto vetë pogradecari i sqaron në një bisedë për “Panorama Sport”. Ai konfirmon edhe interesimin që ka pasur Tirana për ta afruar në muajin janar.

Albi, ku ndodheni aktualisht dhe cili ishte impakti i parë për virusin që ka pushtuar Kinën prej javësh…?

Aktualisht ndodhem në Greqi te shtëpia ime. Kam ardhur për të marrë një dokument që më duhej për vizën, prandaj dhe jam akoma këtu. Sa i përket virusit, nga informacionet që kam nga Kina, njerëzit aty nuk e kanë marr aq me stres këtë situatë. Thjesht janë shumë të kujdesshëm në kontaktet me njerëzit e tjerë.

A jeni i shqetësuar për këtë situatë dhe a mund të çojë kjo në prishjen e marrëveshjes me klubin kinez, Shanxi Çang?

Jo, nuk jam i shqetësuar. Nuk besoj se do të arrijë kjo situatë deri në prishje të kontratës me klubin kinez.

Nga bisedat që keni bërë me shokët e ekipit apo miqtë tuaj në Kinë, çfarë ju kanë thënë më konkretisht për atë që po ndodh?

Ne si lojtarë japim raport përditë te mjeku i ekipit për gjendjen tonë shëndetësore. Nga ato që më kanë thënë shokët e ekipit, situatën nuk e kanë marrë me aq frikë siç dhe po raportohet në Europë. Po vazhdojnë jetën normale, edhe pse me shumë kujdes. Siç ju thashë më lart, mundohen të mos kenë shumë kontakte me njerëz të tjerë.

Në qytetin ku keni jetuar në Kinë a ka shqiptarë të tjerë dhe a keni takuar gjatë qëndrimit atje ndonjë prej tyre?