SPORT

Futbolli po rikthehet në kontinentin e vjetër

Përhapja e vrullshme e pandemisë Covid-19 detyroi vendet evropiane të ndërmerrnin masa drastike, si kundërpërgjigje ndaj saj. Paralizimi i aktiviteteve, në pothuajse të gjitha fushat, preku edhe sportin – shkruan Kosova.info

Mirëpo pas më shumë se dy muajve, shumica e federatave të futbollit në Evropë, kanë marrë vendim në lidhje me rifillimin e aktiviteteve sportive.

Seria A , Liga Premier dhe La Liga kanë zyrtarizuar datat e rikthimit të futbollit. Edhe UEFA po planifikon rifillimin e garave evropiane pas përfundimit të kampionateve vendore. Barcelona-Napoli dhe Juventus-Lyon janë ndër ndeshjet që akoma duhet të përmbyllen, përpara se gara të vazhdojë me një raund të eliminim direkt me një ndeshje në çerekfinale më 13 dhe 14 gusht.

UEFA vendos, Kampionati Evropian zhvillohet në vitin 2021 ...

Tashmë ka pasur bisedime për një formulë të zvogëluar me një ‘Final Four’ në Stamboll të Turqisë, por tani pretendohet se vendndodhja do të ndryshoj. “Final Four” mund të luhen në Gjermani, ku Bundesliga rifilloi në mes të majit dhe pritet të përfundojë si kampionati i parë.

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, e ka konfirmuar të mërkurën se kampionati elitar i futbollit në Spanjë do të rinisë më 11 qershor, pasi ishte ndërprerë në mars shkaku i koronavirusit. Pasi që Bundesliga veçse ka nisur, ndërsa Serie A dhe Premierliga gjithashtu i kanë konfirmuar planet për rinisje gjatë muajit qershor, Ligue 1 mbetet liga e vetme e madhe evropiane që vendosi ta anulojë sezonin aktual.

Sezoni në Spanjë pritet të rinisë me derbin mes Real Betisit dhe Sevillas, që do të luhet prapa dyerve të mbyllura, njëjtë si ndeshjet e tjera të këtij sezoni.

Në Angli, po ashtu, janë konfirmuar datat e ndeshjeve për Kupën e Anglisë Pasi të enjten u vendos për rinisjen e kampionatit në Premierligë, e cila do të rifillojë më 17 qershor. Kjo i dha mundësi Federatës së Futbollit të Anglisë t’i gjejë datat e lira për t’i zhvilluar ndeshjet e mbetura të FA Cup. Katër ndeshje çerekfinale – Leicester City vs Chelsea, Newcastle United vs Manchester City, Sheffield United vs Arsenal dhe Norwich City vs Manchester United – do të zhvillohen gjatë fundjavës së 27 dhe 28 qershorit.

Gjysmëfinalet do të zhvillohen gjatë fundjavës së 11 dhe 12 korrikut, ndërsa finalja më 1 gusht. Edhe pse gjysmëfinalet zakonisht luhen në Wembley, mirëpo nuk dihet se a do të ndodhë kjo edhe këtë sezon. Futbolli në Angli ka qenë i suspenduar që nga muaji mars shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, ndërsa shorti për çiftet çekerfinaliste ishte zhvilluar më 4 mars.

Prej të gjitha kampionateve, ka befasuar ai i Rusisë, ku pritet që edhe tifozët t’i përcjellin ndeshjet nga stadiumet. Rinisa e këtij kampionati është paraparë nga data më 21 qershor.

Pas caktimit të datave, shumë futbollistë janë shprehur të emocionuar, por më shumë se futbollistët janë tifozët që i kanë pritur me ngazëllim këto lajme./Kosova.info/