Kombëtare

Fushata “Ta pastrojmë Kosovën” vazhdon në Prishtinë

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” ka vazhduar të martën me një aksion pastrimi në kryeqytet. Aksioni i sotëm u zhvillua në rrugën “Tirana” nga ku u larguan mbi 50 thasë me mbeturina përgjatë brezit rrugor.

Në aksionin që filloi në orën 11:00, morën pjesë dhjetëra vullnetarë. Aty u bë thirrje nga qytetarët që të jenë më të përgjegjshëm karshi mjedisit dhe ta ruajnë atë, duke mos hedhur mbeturina përskaj brezave rrugorë.

Let’s Do It Kosova njofton se nga Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila filloi më 15 shtator e deri më tani janë pastruar afër 400 deponi ilegale të mbeturinave.

“Në anën tjetër, në kuadër të aktiviteteve të kësaj Fushate, sot ekipi i Let’s Do It Kosova ka zhvilluar një takim me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi me të cilin është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e edukimit mjedisor”, thuhet në njoftim.

“Në takimin e sotëm, drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka thënë se është duke u u pilotuar një modul trajnues në 4 komuna të Kosovës lidhur me ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në fushën e edukimit dhe shtoi se kjo do të ishte me interes të zgjerohet edhe në komunat tjera”, thuhet më tej.

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” do të vazhdojë deri më 15 dhjetor, andaj është e rëndësishme që secili qytetar të japin kontributin për një Kosovë të pastër, pa deponi ilegale të mbeturinave.

“Andaj, u bëjmë thirrje që t’iu përgjigjeni pozitivisht thirrjeve tona të vazhdueshme për pjesëmarrje në aktivitetet e fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” me qëllim të ngritjes së vetëdijës për mirëmbajtjen e hapësirave publike”.