Rajoni

Fushata drejt fundit, partitë vazhdojnë takimet me qytetarët

Fushata parazgjedhore në Maqedoni po shkon drejt fundit, ndërsa partitë kanë vazhduar me aktivitetet e tyre.

Telegrafi Maqedoni ua sjell të përmbledhura në një vend takimet që gjatë ditës së djeshme partitë i realizuan me qytetarët.

Koalicioni ASH-AAA, dje vizituan kompanitë e suksesshme në rajonin e Tetovës. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela bashkë me kandidatët tjerë për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore, gjatë ditës së djeshme realizuan takime me disa nga kompanitë më të suksesshme në vend e që veprojnë në rajonin e Tetovës.

Sela dhe kandidatët tjerë ua bënë me dije drejtuesve të këtyre kompanive se tek ato shohin partnerë në të ardhmen. Parashihen lehtësime në veprimtarinë e tyre, sidomos në pjesët burokratike dhe në koncesionet me tokat shtetërore. Dhënia e kompetencave më të mëdha tek pushteti lokal, me qëllim të shmangies së pengesave të vazhdueshme që shfaqen në veprimtarinë e disa prej këtyre kompanive, do të jenë prioritet i qeverisjes së ardhshme.

Shtabi Qendror Zgjedhor pranë Bashkimit Demokratik për Integrim ka qëndruar dje në Komunën e Strugës ku me fjalim është paraqitur kryetari i partisë Ali Ahmeti, i cili i ftoi qytetarët “t’i thonë po, idesë për kryeministër shqiptar”.

“Duke mos dashur të elaboroj të bërat që janë bërë, pasi të gjithë i prekin dhe i shohin por edhe më tutje kemi shumë punë për të bërë, duhet të shkrimë energjitë tona për ditë më të mira se këta që i kemi lënë pas. Populli thotë se e keqja që nuk ka fund edhe të mirat nuk kanë fund. Jemi përpjekur që të bëjmë punë të mira duke mos zhgënjyer votuesit tanë e në përgjithësi shqiptarët duke i përfaqësuar me dinjiteti si kombëtarisht ashtu edhe në arenën ndërkombëtare dhe për këtë jam mirënjohës për përkrahjen që keni dhënë prej 2 dekadave me radhë”, tha Ahmeti.

Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM, pjesë e të cilit është edhe Lëvizja Besa, dje ka qëndruar në Gostivar, prej ku Zaev tha se OBRM-PDUKM-ja dhe BDI-ja nuk janë kujdesur aspak për jetën e qytetarëve, por për interesa personale.

“I shihni tani, erdhën zgjedhjet dhe sërish BDI dhe OBRM-PDUKM me nacionalizëm. Pse BDI 12 vjet nuk e miratoi Ligjin për gjuhët, u frikësuan për karrierën dhe rejtingun? Por, erdhëm ne dhe e zgjidhëm këtë çështje”, tha Zaev.

OBRM-PDUKM-ja dje ka realizuar takime me qytetarët në Veles, prej ku Hristijan Mickoski tha se në këto zgjedhje votohet në mes krimit dhe padrejtësisë nga njëra anë dhe drejtësisë, ndershmërisë nga ana tjetër.

Ai theksoi se populli maqedonas është përballur me të keqe edhe më të madhe se sa LSDM-ja. Ndryshe, fushata përfundon më 12 korrik në orën 24 kur edhe zyrtarisht fillon heshtja parazgjedhore.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483