Kosova

Fushata “16 ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Baza Gjinore” lansohet në Kosovë në Ditën Botërore të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave

Pasi që pandemia COVI-19 dhe kultura mbizotëruese e mosndëshkimit kërcënojnë progresin e arritur në barazinë gjinore dhe në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, UN Women së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë/ Përfaqësuesin Special të BE Tomáš Szunyog, Ekipin e OKB-së në Kosovë, Koordinatoren për Zhvillim nga Kombet e Bashkuara, Ulrika Richardson, shefen e zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi, Përfaqësuesen e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko, dhe shefen e Misionit të IOM, Anna Rostocka, bënë thirrje për veprime të fuqishme dhe vendimtare në reagimin ndaj kësaj krize të paprecedentë gjatë lansimit të fushatës “16 ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Baza Gjinore” në Komunën e Gjakovës.  

25 nëntori shënon Ditën Botërore për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave si dhe fillimin e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Baza Gjinore, një fushatë ndërkombëtare që përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut. Çdo vit, kjo fushatë bën thirrje për veprime globale për ta ngritur vetëdijen anembanë botës për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe është një moment kur bota bashkohet dhe merr veprime.

Dhuna ndaj grave mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut. Raportet kanë treguar një rritje alarmuese gjatë muajve të fundit, në një pandemi tashmë ekzistuese të dhunës ndaj grave, sidomos formave fizike, psikologjike, seksuale dhe ekonomike të dhunës në familje, të përkeqësuara nga ekonomia familjare dhe pasiguria e ushqimit si dhe kushtet e kufizuara të jetesës. Raportet e policisë tregojnë që gati 650 raste të dhunës në familje janë raportuar nëpër Kosovë në vitin 2020, që paraqet një rritje prej 22% në krahasim me periudhën e njëjtë në vitin 2019. Këtë vit, me një hap të madh përpara, Kuvendi i Kosovës votoi për zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës. Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, apo e njohur ndryshe si “Konventa e Stambollit” është gurthemel për ta luftuar dhunën ndaj grave dhe do ta përforcojë përkushtimin e Kosovës drejt adresimit të dhunës me baza gjinore në të gjitha format e saj, duke ndërmarrë masa për ta parandaluar dhunën ndaj grave, për t’i mbrojtur viktimat e saj dhe për t’i përndjekur autorët e krimit.

Këtë vit, për ta lansuar fushatën, UN Women, së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian/ Përfaqësuesin Special të BE, UN Women, UNKT, UNDP dhe IOM organizuan një vizitë në Komunën e Gjakovës. Vizita filloi me një takim me Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Pastaj vazhdoi në strehimoren “Shtëpia e Sigurtë” për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe në furrën e strehimores, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për të mbijetuarat, sidomos në kohët e pandemisë, kur fuqizimi dhe riintegrimi i tyre janë në rrezik. Kjo vizitë thekson mbështetjen e BE-së dhe Kombeve të Bashkuara për organizatat e grave në punën e tyre drejt parandalimit dhe eliminimit të dhunës ndaj grave. “Të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore duhet të jenë në qendër të politikave. Ato duhet të ndjejnë se nuk janë vetëm. Dhuna ndaj grave prek të gjithë shoqërinë, kështu që të gjithë duhet të përfshihemi në eliminimin e saj” tha Përfaqësuesi Special i BE Tomáš Szunyog.

“Dhuna me bazë gjinore është një nga format më cinike të dhunës dhe kjo ndodh aty ku gratë duhet të ndihen më të sigurta. Ne duhet të bashkojmë forcat, gratë dhe burrat, institucionet e nivelit lokal dhe qendror, dhe organizatat e shoqërisë civile për të dyfishuar përpjekjet tona drejt eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave ” tha Ulrika Richardson, Koordinatorja për Zhvillim nga Kombet e Bashkuara.

Aktiviteti poashtu përfshiu një vizitë në biznesin e një gruaje ndërmarrëse nga komuniteti egjiptian, aktivitet i organizuar nga IOM. Urat Terzi dhe Tabak u ndricuan në portokalli nga UNDP dhe BE. Me këtë rast, Tomáš Szunyog, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësuesi Special i BE-së, dhe Maria Suokko, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së nënshkruan marrëveshjen e projektit mbi “Trashëgiminë Kulturore si Drejtues i Dialogut Ndër-Komunitar dhe Kohezionit Social” që lejon bashkëpunim të vazhdueshëm në këtë fushë gjatë dy viteve të ardhshme, ku gratë dhe të rinjtë do të përfshihen në mënyrë të dukshme.

Ndriçimi i ndërtesave ikonike përreth botës me ngjyrë të portokalltë është pjesë kyçe e Fushatës “16 Ditë Aktivizëm”. Ngjyra e portokalltë simbolizon një të ardhme të ndritshme pa dhunë ndaj grave dhe vajzave. Më 25 nëntor, në tërë Kosovën, shumë ndërtesa dhe monumente të trashëgimisë kulturrore do të ndriçohen me ngjyrë të portokalltë, duke përfshirë Ndërtesën e Kuvendit, Ministrinë e Drejtësisë, Katedralen në Prishtinë, Ndërtesën e Zyrës së Bashkimit Europian, Rrugën Bill Clinton dhe të tjera.

Kosova ka qenë pjesë e fushatës globale “16 Ditë Aktivizëm” tashmë disa vite përmes Zyrës së UN Women në Kosovë, e cila koordinon fushatën përmes Grupit të Sigurimit dhe Gjinisë (SGG) të përbërë nga shumë akterë. Gratë dhe vajzat në Kosovë, dhe anembanë botës, vazhdojnë të përballen me sfida të paparamendueshme, ku COVID-10 po i thellon pabarazitë ekzistuese, duke përfshirë pabarazinë gjinore. Tashmë jemi duke parë një kthim mbrapa të progresit në barazi gjinore dhe të drejta të grave, që kanë qenë të brishta edhe para pandemisë. Tani është koha të sigurojmë që shqetësimet e barazisë gjinore janë plotësisht të përfshira në reagimet tona afatshkurta dhe rimëkëmbjen afatgjatë për të ndërtuar shoqëri më të barabarta dhe më rezistente që do të na duhen përderisa dalim nga kjo krizë/Kosova.info/