EKONOMI

Fuqizimi i bizneseve prioritet i OAK-së dhe ATK-së

Oda e Afarizmit të Kosovës priti në takim drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe zëvendës drejtorin e Përgjithshëm për Operacione në ATK, Nijazi Asllani.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth krijimit të lehtësirave të të bërit biznes, rëndësisë së luftimit dhe zvogëlimit të informalitetit, edukimit të tatim/paguesve, e ngritjes së vetëdijesimit për obligimet tatimore.

Gjatë këtij takimi u diskutua rritja e bashkëpunimit reciprok, organizimet e përbashkëta për informim të saktë të bizneseve lidhur me obligimet dhe legjislacionin në fuqi, mundësia e ofrimit të përkrahjes për bizneset që kanë target eksportin e motivimet për deklarime.

OAK po ashtu ngriti si çështje edhe disa nga kërkesat e pranuara nga ana e bizneseve e që kanë të bëjnë me inicimin e Ligjit për Kallo, shtimin e shërbimeve në kuadër të platformës EDI, me qëllim të eliminimit të procedurave burokratike për pajisje me dokumentacion e digjitalizimin e shërbimeve.

Murtezaj tha se ATK-ja është e gatshme të ofrojë përkrahjen në çdo proces që kontribuon në legalizimin e biznesit dhe ekonomisë, si dhe të ofrojë mbështetje profesionale në çështje me interes reciprok.

Shfaq më shumë
//dacmaiss.com/4/3473483