Kosova

Ftesat e Speciales sqarojnë se në çfarë cilësie po ftohen ish-ushtarët e UÇK-së

Avokati mbrojtës i Sami Lushtakut dhe Rrustem Mustafës – Remit, Arianit Koci, ka thënë për portalin Koha.net se ftesat e dërguara nga Zyra e Prokurorit të Specializuara e kanë të specifikuar se në çfarë cilësie janë ftuar shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Ishte raportuar se të ftuarit nuk dihen se në çfarë cilësie janë ftuar, por avokati Koci ka thënë se ftesat e dorëzuara janë në formë të shkruar dhe se në to është specifikuar cilësia dhe data e intervistimit.

“Sa i përket klientëve të mi, ftesat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar janë dorëzuar sipas ligjit. Çdo gjë ka qenë në rregull. Ftesat e dorëzuara janë në formë të shkruar dhe në të është specifikuar cilësia dhe data e intervistimit. Unë personalisht kam ndërmarrë edhe masa shtesë për t’i verifikuar ftesat dhe kam komunikuar me personat kompetent të Prokurorisë dhe Gjykatës”, ka thënë Koci.

I pyetur nga portali Koha.net se në çfarë cilësie janë ftuar klientët e tij, Koci ka refuzuar të përgjigjet.

Avokati mbrojtës i të ftuarit të Speciales, Nazif Mehmetit, Tahi Rrecaj të martën në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se nuk dihet se në çfarë cilësie është ftuar klienti i tij në Hagë.

Ai ka thënë se të hënën në mbrëmje një hetues çek që fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe, kishte dorëzuar personalisht ftesën te i ftuari Mehmeti.

“Sot paradite Mehmeti erdhi në zyrën time, ka njoftuar se në orët e mbrëmjes të hënën, ka shkuar një hetues i prokurorisë dhe e ka njoftuar se do të paraqitet për intervistim për datat 22, 23, 24 janar. Nuk i është thënë se në çfarë cilësie, dhe nuk i është thënë ku do të zhvillohet intervistimi i tij”, ka thënë Rrecaj.

“Ia kanë lënë vetëm një letër kontakti, në bazë të asaj unë sot kam kontaktuar me ata. Ka qenë hetues i huaj, ka folur shqip, ka thënë se ka qenë hetues çek që fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe. Ai më tha se ka komunikuar shqip dhe shihej në bazë të emrit që kishte”, ka sqaruar avokati i Mehmetit që ka shtuar se klienti i tij e ndien veten të pafajshëm.

“Sidoqoftë ai e ka kuptuar situatën dhe është në gjendje që pafajin e tij ta vërtetojë para prokurorit dhe gjykatës”, ka thënë avokati.

Deri tash, ftesa nga Gjykata Speciale kanë pranuar edhe ish-komandantët e tjerë, Rrustem Mustafa (Zona Operative e Llapit), Sokol Dobruna (Gjykata ushtarake e UÇK-së), Sami Lushtaku (Zona Operative e Drenicës) e Nazif Mehmeti (një nga komandantët në Zonën Operative të Llapit).