Kosova

Spahija: Vjosa Osmani po e shfrytëzon presidencën për të bërë propagandë për Albin Kurtin

Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, të shtunën kishin shkuar për të mbajtur një tubim në veri të Mitrovicës.

Pasi kanë dalë nga tubimi ata kishin hasur në një grup të serbëve që i pritën ata me fyerje nga më të ndryshmet.

Kjo vizitë u kritikua nga kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Fahredin Spahija.

Spahija që vjen nga qyteti i Mitrovicës tha se kjo vizitë është bërë për përfitim të votave nga ana e Osmanit dhe Kurtit.

Ai në emisionin Info Magazine në Klan Kosova tha se kjo është tejet e dëmshme për qytetarët e veriut.

“Çdo tentim i cilido individ apo cilido grupacion politik për qëllime të promovimit të vet në veriun e Mitrovicës, por edhe për qëllime të përfitimit të ndonjë vote më shumë është dashakeq dhe tejet i dëmshëm për qytetarët tanë në veri”.

“Ata kanë rrezikuar një siguri të cilët forcat tona të sigurisë e kanë instaluar që një kohë të gjatë. Kanë krijuar një paqe mesatare, s’po them që është absolute, por me dalë edhe me defilu nëpër rrugët e veriut merret si provokim sigurisht nga ana e serbëve”.

“Edhe unë do të shkojë këto ditë, por ka edhe rrugë të tjera. Partia jonë ka degë edhe nëndegë të saj në veri edhe ne do të takohemi sikur e praktikojmë edhe në jug”.

“Pse mos me ardh? Ministri Zemaj ishte para një kohe. Vizitoi edhe institucionet shëndetësore në veri pa pompozitet, pa zhurmë të madhe, nuk e ka penguar askush edhe është kthyer”.

Kandidati që në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojë për deputet për LDK-në tha se Vjosa Osmani po e shfrytëzon presidencën për të bërë propagandë për Albin Kurtin, njofton Klan Kosova.

“Por, e keqja është që ajo ka dalur të bëj propagandë partiake dhe nuk ka qenë në funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentes në atë rast edhe çka është e keqja më e madhe që ajo po shfrytëzon të gjitha mekanizmat e presidencës për të bërë propagandë të Vetëvendosjes edhe shefit të saj Albin Kurtit”.