SPORT

FSHF konfirmon rifillimin e Kategorisë së Parë, më ….

Përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë së Parë zhvilluan dje takimin e paralajmëruar me drejtuesit e FSHF-së, ku mësuan se kampionati do të rinisë më 7 qershor për skuadrat e “play out”-it dhe më 14 qershor për ato të “play off”-it.

Kështu, 8 skuadrat që luajnë për ngjitjen në Superiore, 4 për secilin grup, kanë një javë më shumë kohë që të përgatiten. Më 18 maj është parashikuar të nisë stërvitja individuale dhe pak ditë më pas ajo ekipore, kështu që deri më 7 qershor stafet teknike të skuadrave të Kategorisë së Parë do të kenë rreth dy javë kohë që të përgatisin lojtarët për të përballuar pjesën e mbetur të sezonit.

Rifillimin e garës e kanë kërkuar shumica e klubeve dhe vendimi i djeshëm është pritur me entuziazëm, edhe pse të gjithë e dinë sesa e vështirë do të jetë pas gjithë kësaj situate, sepse rriten kostot financiare. Skuadrat e “play off”-it të dy grupeve kanë më pak ndeshje për të zhvilluar, edhe 6 javë. Ato e nisin më 14 qershor dhe përfundojnë më 25 korrik, kurse ndeshjet shtesë luhen në datat 5 dhe 6 gusht. Janë ndeshje përcaktuese për objektivin sezonal dhe i rëndësishëm është fakti që këtyre skuadrave u është dhënë shansi që gjithçka të vendoset në fushë.

“PLAY OFF”-i- Skuadrat e pjesës së poshtme të renditjes, ato të “play out”-it, kanë edhe 9 javë për të zhvilluar dhe për të caktuar se cila do të bjerë një kategori më poshtë. Në këtë grup skuadrash, 5 nga Grupi A (është përjashtuar Shkumbini) dhe 6 nga Grupi B, ka ngjeshje më të madhe të ndeshjeve. Ato ristartojnë më 7 qershor dhe mbyllen më 29 korrik. Edhe në këtë rast, ndeshjet shtesë luhen në datat 5 dhe 6 gusht.

NDESHJET SHTESË – Në datat 5 dhe 6 gusht luhen ndeshjet shtesë. Vendet e dyta të çdo grupi ndeshen mes tyre dhe më pas fituesi sfidon vendin e 8-të të Superiores për të qenë në elitë. Në anën tjetër, vendet e 8-ta të çdo grupi të “play out”-it do të kenë një ndeshje shtesë me një kundërshtar nga Kategoria e Dytë për të siguruar qëndrimin.