Kombëtare

Fshatrat e Kamenicës që po u mbyllen shkollat kërcënojnë me bojkot të zgjedhjeve

Që nga fillimi i shtatorit, shkollat në fshatin Busavatë, Krilevë, Strezoc dhe Tuxhec të Kamenicës do të duhej të ishin të mbyllura, sipas vendimit të Komunës.

Ndonëse mësimi vazhdon, banorët e këtyre fshatrave kanë reaguar duke thënë se do të bojkotojnë promovimin e partive politike në fshatrat e tyre, raporton KTV.

“Busavata, Krileva, Strezoci dhe Tuxheci, në tubimet e tyre, kanë vendosur të mos i njohin dhe respektojnë kompetencat e një kryetari të tillë dhe, në mënyrë unanime, kanë vendosur bojkotimin e promovimeve politike në këto fshatra me të vetmen arsye të përkrahjes së tyre ndaj vendimeve të Kastratit”, thuhet në reagimin e Këshillit të fshatit Busavatë .

Edhe banorët e tjerë thonë se e përkrahin një vendim të tillë.

Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, thotë se vendimi që ka marrë për riorganizimin në arsim nuk ka prapavijë politike.

Thotë se kështu ka vepruar për të mirën e fëmijëve.

E, në anën tjetër, vendimin e banorëve e ka parë si të ngutshëm Lëvizja Vetëvendosje.

Vendimi i këshillit të fshatit Busavatë i është dërguar Komisionit Qendror Zgjedhor, Komunës së Kamenicës dhe degëve të partive politike në Kamenicë.

Lini një Përgjigje

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.