Kosova

Fshati Stubëll në një izolim të hekurt, banorët e shqetësuar thonë se nuk kanë mjaftueshëm as ushqime e as barna

Banorët e qytetit të Vitisë janë detyruar t’i nënshtrohen masave të ashpra të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pas përhapjes së pandemisë me COVID-19, raporton Kosova.info

Gjendja në fshatin Stubëll të kësaj komune, raportohet të jetë e rëndë. Ai është izoluar tërësisht ndërsa banorët ankohen se nuk po lejohen të furnizohen as me ushqime e as me medikamente.

Kosova.info ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë informata më të qarta rreth kësaj situate, por nga Divizioni për Komunikim me Publikun kanë thënë se:

“Tek ne nuk kanë ardhur ankesa që janë në këtë gjendje!”

Për më tepër, ministria nuk do të hezitojë që t’i furnizojë me medikamente dhe mjete të cilat janë të nevojshme me këtë rast. Në uebin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, janë publikuar numrat e kontaktit që në raste emergjente mund të shfrytëzohen për komunikim dhe informim. Zyrtarët e kësaj ministrie, janë zotuar se do t’u ofrojnë ç’është e mundur për të gjithë ata  që ndodhen në këtë situatë të pazakontë.

Nga ana tjetër, ankesat e banorëve ndërlidhen edhe me çështjen e furnizimit meushqime. Sipas informatave, atyre nuk po iu lejohet që të shkojnë e të furnizohen nëpër markete, meqë policia i ka bllokuar të gjitha hyrje-daljet në këtë fshat.


Ka disa ditë që ky fshat është futur në karantinë dhe aty ka njerëz të sëmurë, që kanë nevojë për tretman të veçantë mjekësor dhe për terapi të caktuar shëndetësore. Banorët ankohen se janë lënë në harresë nga institucionet e vendit.

Marian Ramaj, kryetar i këtij fshati, ka bërë thirrje që ata të furnizohen me produkte elementare, por nga komuna i janë ankuar se nuk kanë fonde të mjaftueshme për t’i dalë në ndihmë.

Për Kosova.info ata janë ankuar se edhe pas tentimeve për t’u furnizuar me gjërat elementare në këtë situatë emergjente, nuk ia kanë dalë, pasi janë kthyer prapa nga zyrtarët policorë. Nëse qeveria nuk ndërmerr masa të menjëhershme, gjithnjë sipas banorëve, ka rrezik që të ndodh një katastrofëe madhe.

Sarë Gjergji banor i fshatit thotë se ata aktualisht ndodhen në një izolim total, “ndonëse kemi kërkuar disa herë që të na mundësohet që së paku të blejmë ushqime por një gjë e tillë është e pamundur” – është shprehur ai.

Ky fshat ka mbetur nën mëshirën e Zotit!, thonë banorët e shqetësuar, të cilët ndodhen në izolim./Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.