Bota

Franca, vatra e tretë e koronavirusit në Evropë

E marta ishte dita më e rëndë e Francës në përballje me koronavirusin.

Raportet e së mërkurës, bëjnë të ditur se në 24 orët e kaluara, kanë vdekur 499 persona me Covid-19.

Tash, numri i përgjithshëm i vdekjeve në këtë vend është 3.523, më i madh edhe se i Kinës, ku edhe shpërtheu ky virus në dhjetor të vitit të shkuar.

Vetëm Italia e Spanja kanë më shumë të vdekur në Evropë se sa Franca, ndërkohë në gjithë botën edhe ShBA-ja ka më shumë, 4.097.

Italia ka pësuar më së shumti. Deri më tash ka regjistruar 12.428 të vdekur, por raporti i 24 orëve të fundit ende nuk është bërë i ditur.

Ndërkohë, në Spanjë kanë vdekur 9.053.

Për nga numri i të infektuarve prin ShBA-ja me 189.661 raste, pason Italia me 105.792, pastaj Spanja me 102.136.

Kina ka 81.554 të infektuar dhe 3.312 të vdekur, ndërkohë Gjermania ka 74.508 të infektuar, por numrin e të vdekurve e ka të vogël në krahasim me vendet tjera: 821.

Gjithsej në botë, deri më tash janë 875.900 të infektuar, 43.518 të vdekur dhe 184.952 të shëruar nga koronavirusi.