Bota

Franca regjistron 365 vdekje shtesë nga koronavirusi

Franca ka raportuar të enjten për 365 persona të vdekur si pasojë e koronavirusit, duke përfshirë një 16-vjeçare.

Kjo njëherësh ka qenë shifra më e lartë e viktimave që është shënuar brenda 24 orëve.

Shefi për shëndetësi në Francë, Jerome Salomon u ka thënë gazetarëve se një total prej 1,696 personave kanë vdekur nëpër spitale në Francë nga virusi, duke thënë se në këtë shifër nuk përfshihen ata që kanë vdekur nëpër shtëpi apo qendra për të pensionuarit.

Ai ka thënë se deri më tani, 29,155 persona kanë dalë pozitivë në testet me këtë virus në Francë, duke shtuar se numri real i rasteve me siguri është shumë më i lartë.

Deri më tani, në gjithë botën është raportuar për më shumë se gjysmë milioni persona të infektuar me sëmundjen Covid-19, të cilën e shkakton koronavirusi.