Bota

Franca i përgjigjet Trumpit për sugjerimin si të ndalet zjarri në “Notre Dame”

Agjencia franceze për sigurinë civile “Securite Civile” i është përgjigjur presidentit amerikan, Donald Trump, për sugjerimin e përdorimit të fikjes nga ajri për zjarrin në katedralen “Notre Dame” në Paris.

Agjencia ka shkruar në Twitter se hedhja e ujit në sasi të madhe nga ajri mund të çonte në kolapsimin e gjithë strukturës nëpër objekte si kjo e “Notre Damet”.

“Pesha e ujit dhe intensiteti i rënies në lartësi të ulët mund të dobësojnë strukturën e Notre Damet dhe si rezultat mund të shkaktojë dëme edhe në objektet në afërsi”, ka thënë më tej kjo agjenci.

Agjencia është pjesë e Ministrisë së Brendshme të Francës.

Parisi hyn në orën vendimtare për të parë nëse mund ta ndalë zjarrin në “Notre Dame”

Zëdhënësi i departamentit të zjarrfikësve në Paris ka thënë se Franca ka hyrë në orën vendimtare për të parë nëse zjarri në katedralen “Notre Dame” mund të ndalet.

Zjarri ka disa orë që ka përfshirë simbolin e Parisit.

Akoma nuk dihen shkaqet që çuan në këtë zjarr.

Bota reagon për djegien e “Notre Damet” në Paris

Zjarri në katedralen “Notre Dame” të Parisit ka nxitur reagimin e liderëve botërorë.

Së fundmi reagoi edhe kryeministria britanike, Theresa May. Ajo ka thënë se mendimet e saj janë me Francën, pas zjarrit shkatërrimtar.

“Mendimet e mia sonte janë me Francën dhe shërbimet e emergjencës, njerëz të të cilës po luftojnë kundër flakëve të tmerrshme në Katedralen Notre-Dame”, ka shkruar May në “Twitter”. Ndërkaq, Selia e Shenjtë ka njoftuar se zjarri ka shkaktuar “shokim dhe pikëllim” për Vatikanin.

“Po lutemi për zjarrfikësit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Vatikani.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka shkruar menjëherë në Twitter për këtë incident.

“E tmerrshme të shohësh zjarrin masiv në katedralen Notre Dame në Paris. Ndoshta duhet përdorur ujin nga ajri për ta ndalur. Duhet të veprohet shpejt”, ka shkruar ai.

Gjermania i ka dhënë mbështetjen e saj Francës pas zjarrit të madh që po shkatërron sot katedralen Notre Dam në Paris, simbol i Francës.

“Këto imazhe të tmerrshme të Notre Dam në zjarr të trishtojnë. Notre Dam është një simbol i Francës dhe kulturës tonë evropiane. Ne jemi në mendime me miqtë francezë”, ka shkruar në “Twitter” zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert.

Leave a Reply

Your email address will not be published.