Bota

Franca do ta tërheqë ambasadorin nga Turqia pasi Erdogani vë në pyetje shëndetin mendor të Macronit

Franca do ta tërheqë ambasadorin nga Turqia, pas komenteve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili tha se presidenti francez Emmanuel Macron kishte nevojë për trajtim të shëndetit mental.

Një zyrtar presidencial i Francës tha se ambasadori francez në Turqi do të takohej me Macronin për të diskutuar situatën pas deklaratave të Erdoganit.

Franca dhe Turqia janë në mosmarrëveshje për disa çështje, përfshirë të drejtat detare në Mesdheun lindor, Libinë, Sirinë dhe konfliktin ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Ankaraja është acaruar nga kampanja e Macronit në përpjekje për të mbrojtur vlerat laike kundër islamit radikal, një debat i cili u ndez nga vrasja e mësuesit në Paris pasi gjatë një ligjërate u kishte treguar nxënësve karikatura të Profetit Muhamed.

“Çfarë mund të thuhet për një kryetar shteti i cili trajton miliona anëtarë nga besime të ndryshme në këtë mënyrë: së pari, bëj kontrolle mendore”, ka thënë Erdogani.

“Çfarë problemi ka individi i quajtur Macron me islamin dhe myslimanët? Macronit i duhet trajtim mental”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, zyra e Macronit në reagim të ashpër ka thënë se komentet e presidentit turk janë të papranueshme.

“Në kërkojmë që Erdogani të ndryshojë mënyrën e politikës së tij, sepse është e rrezikshme në çdo aspekt”, ka thënë zyra e Macronit për AFP, përcjell The Guardian.