SPORT

Fotografia që dëshmon afërsinë e Ilir Pushkës që menaxhon “TIKS APP” me nipin e Hashim Thaçit

Biletat për lojën e Kosovës me Anglinë, kanë thelluar edhe më shumë skandalin e shitjes së biletave online përmes faqes “Tiks App“, e cila ka filluar që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo faqe menaxhohet nga rrjeti i firmave që kanë lidhje me familjen Thaçi. Afërsia e njëri nga bashkëpronarët, Ilir Pushka me djalin e Gani Thaçit, Kushtrimin dëshmohet edhe në këtë foto.
Fotografia që dëshmon afërsinë e Ilir Pushkës që menaxhon “Tiks APP” me Kushtrim Thaçin

Faqja “Tiks App”, menaxhohet nga rrjeti i firmave “ALT3C” dhe “ALT4C”, që udhëhiqen nga disa bashkëpronarë në mesin e të cilëve edhe Ilir Pushka e Ardian Kelmendi që njihen për afërsinë me familjen e pushtetshme Thaçi.

Këta të dy kanë miqësi me Kushtrim Thaçin, djalin e Gani Thaçit, i cili deri para pak muajsh ishte pjesë e Byros Kosovare të Sigurimeve, njëherë në e postin e zv/drejtorit të përgjithshëm, e së fundmi koordinator, shkruan Insajderi.

Ilir Pushka e Kushtrim Thaçi, djali i Gani Thaçit afërsinë e tyre e tregojnë edhe përmes kësaj fotografie të siguruar nga Insajderi.

Faqja “Tiks App”, e cila është e kontraktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës për shitjen e biletave të ndeshjeve të kombëtares së Kosovës, në vazhdimësi ka pasur probleme. Fare aktive nuk ka qenë të martën prej orë 16:00 kur edhe zyrtarisht ka filluar shitja e biletave për ndeshjen e së dielës mes Kosovës e Anglisë.

Insajderi ka raportuar, se kompania “ALT3C”, në pronësi të miqve të djalit të Gani Thaçit dyshohet se para tri vjetësh kishte përfituar mijëra euro nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky institucion. (Shkrimi i plotë).

Të njëjtit, Ilir Pushka dhe Ardian Kelmendi kanë qenë të përfshirë edhe në një rast tjetër të dyshimtë.

Para më shumë se gjashtë vjetësh, më 13 tetor 2013, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të industrisë së sigurimeve u mor një vendim që shihej me dyshim nga disa prej anëtareve të kësaj industrie.

Përfitues doli firma “ALT3C”, e cila u angazhua që ta implementojë një sistem softuerik për nevoja të kompanive të sigurimeve.

Pushka dhe Kelmendi janë të akuzuar edhe për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi. Në gjykata të dy janë deklaruar të pafajshëm më 22 tetor 2019.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 9 tetor 2019, ka paraqitur aktakuzën e ndryshuar të ngritur kundër Ilir Pushka dhe Ardian Kelmendi dhe pesë të akuzuarve të tjerë.

“Arsyetimet” e Federatës e faqes për skandalin e biletave

Gjatë së martës kur edhe nisi shitja e këtyre biletave, tifozët që në vazhdimësi kanë provuar të blejnë biletat nuk kanë mundur për shkak se kjo faqe nuk ka funksionuar fare.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, nuk e cilësoi shumë problem të madh këtë.

“Nuk ka qenë ndonjë problem i madh. Sistemi është ashtu i realizuar”, tha ai.

Ademi problemit ai e sheh tek zgjerimi i hapësirave të stadiumit.

“Ky është sistem shumë efikas që përdoret në të gjithë botën. Këtë sistem e kemi marrë si dhuratë nga UEFA. Ndoshta zgjidhja e problemit mund të bëhet me zgjerimin e hapësirave. Këtu duhet të kemi parasysh edhe ndarjen e biletave. 1 mijë bileta për Dardanët, mysafirët i kanë marrë poashtu 1 mijë bileta“, tha Ademi.

Ndërkaq faqja Tikss APP, fillimisht tha se për shkak të ngarkesës së madhe ka qenë e pamundur blerja e biletave.

“Pershkak te ngarkeses shum te madhe momentalisht qasja ne ëebfaqe-n tone eshte e pamundur. Shume shpejt faqja do te jete aktive perseri. Shpresoj te kemi mirekuptimin e juaj pasi qe kerkesa eshte jashtezakonisht shume e madhe”, thanë ata.

Më vonë doli me një “arsyetimin” tjetër se kanë pasur sulme hakerësh në faqe.

“Ne si platforme kemi qene cak i disa sulmeve me ç’rast sherbimi ka qene shume limituar. Ne jemi munduar qe sherbimin te e mbajme aktiv gjate kesaj mirepo kjo gje nuk ishte e mundur”, thanë ata.

Kurse sot fajsoi mediat për problemet e tyre.

“Disa Persona dhe Media kanë shfrytëzuar këtë situate dhe kanë publikuar materiale nxitëse qe kanë ndikuar edhe me tej ne tensionimin e situatës se krijuar”, thuhet në një postim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.