Bota

Foto/ Trazirat në ShBA e “infektojnë” edhe Evropën

Në Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar protestat për vrasjen e një afrikano-amerikani në Mineapolis, teksa shumë shtete kanë vendosur masën e shtetrrethimit për të parandaluar trazirat, dhunën dhe plaçkitjet.

Presidenti Donald Trump po rrit presionin ndaj guvernatorëve për të angazhuar Gardën Kombëtare një ditë pasi ai kërcënoi për ndërhyje të ushtrisë kundër trazirave dhe plaçkitjeve.

Në Uashington, automjetet e blinduara ushtarake dhe policia janë pozicionuar në rrugët e qytetit.

Në Nju Jork ka raportime për disa plaçkitje dhe dëme në prona. Policia nga ana e saj ka deklaruar se ka bërë rreth 200 arrestime.

Edhe në Uashington, Houston, Los Angeles e Minneapolis, mijëra amerikanë po vazhdojnë protestat për George Floyd, afrikano-amerikanit të vrarë nga policia. Përleshjet me forcat e rendit kanë ndodhur veç në Nju Jork edhe në Atlanta

Një tjetër viktimë nga ana e policisë është regjistruar këtë herë në Saint Louis, në Misuri, gjatë plaçkitjeve të kryera nga grupe vandalësh

Po protesta nuk ka pasur vetëm në SHBA. pas vrasjes së George Floyd, mijëra qytetarë evropianë kanë dalë gjithashtu në rrugë për të protestuar ndaj diskriminimit dhe dhunës së policisë, si në Itali, Francë, Greqi, Britaninë e Madhe, Suedi, Gjermani e Norvegji për të kujtuar se edhe në Europë ka viktima prej racizmit dhe përdorimi i tepërt i forcës.

Afrikano-amerikani, George Floyd, 46 vjeç, vdiq javën e kaluar, pasi u ndalua nga oficerët policorë.

Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ishte e fundit në një seri incidentesh të ngjashme që nxitën zemërim dhe protesta kundër racizmit në mesin e forcave të zbatimit të ligjit.