EKONOMI

Forumi Ekonomik Botëror njofton për pesë rreziqet më të mëdha në dekadën e re

Në raportin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, për herë të parë në 15 vjet, mbizotërojnë plotësisht problemet dhe rreziqet mjedisore. Këtu përfshihen fatkeqësitë natyrore, moti ekstrem dhe pasojat e ngrohjes globale.

Børge Brende, president i Forumit Ekonomik Botëror, tha: “Skena politike është e polarizuar, niveli i detit është duke u rritur dhe zjarret në natyrë duke u shtuar. Ky është viti kur liderët botërorë duhet të punojnë me të gjithë sektorët e shoqërisë për t’i riparuar dhe forcuar sistemet tona të bashkëpunimit, jo vetëm për përfitime afatshkurtra, por për luftimin e rreziqeve tona të rrënjosura.”

Pas një muaji të rëndë të zjarreve të mëdha në Australi, Brende tha se nevojiten veprime urgjente për këtë gjendje, shkruan “The Guardian”, transmeton Kosova.info.

Sipas këtij raporti, pesë rreziqet më të mëdha që i kanosen botës gjatë kësaj dekade janë:

-Moti ekstrem, i cili do të dëmtojë prona, infrastrukturë dhe do të shkaktojë viktima në njerëz;

-Dështimi në luftimin e ndryshimeve klimatike dhe mospërshtatja e qeverive dhe bizneseve ndaj këtyre ndryshimeve;

-Dëmtimet dhe fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga dora e njeriut, përfshirë krimin mjedisor, siç është kontaminimi me radioaktivitet;

-Humbja e madhe e biodiversitetit dhe kolapsi i ekosistemeve me pasoja të pakthyeshme për mjedisin;

-Fatkeqësitë e mëdha natyrore, siç janë tërmetet, cunamit, shpërthimet e vullkaneve dhe stuhitë gjeomagnetike.