Bota

Forcat franceze thonë se e kanë vrarë liderin e Al-Kaidës në Afrikën Veriore

Udhëheqësi i Al-Kaidës në Afrikën Veriore është vrarë në një operacion ushtarak francez, ka thënë qeveria e Francës.

Florence Parly, ministrja e Mbrojtjes e këtij shteti, tha se udhëheqësi i Al-Kaidës Abdelmalek Droukdel dhe disa aleatë të tij ishin vrarë të mërkurën në veri të Malit nga forcat franceze dhe partnerët e tyre, raporton Reuters.

Nuk u bë e qartë se si u konfirmua identiteti i tij, por kjo konsiderohet si një fitore e madhe për Francën pasi që me vite të tëra ka luftuar xhihadistët në Sahel.

Nuk ka pasur konfirmim të menjëhershëm të vdekjes së tij nga dega e Al-Kaidës në Afrikën Veriore që quhet “Al-Kaida në Maghrebin Islamik”, të njohur si Aqim, të cilët kanë bërë me miliona dollarë duke kidnapuar të huaj përgjatë viteve dhe i kanë shndërruar pjesët e mëdha të Afrikës së Veriut në vende tepër të rrezikshme për grupet humanitare.

Operacione të ngjashme kundër-terroriste në këtë rajon gjithashtu çuan në arrestimin e një figure të rëndësishme të Shtetit Islamik në Saharën e Lartë, Mohamed el Mrabat më 19 maj, shtoi Ministrja Parly.

“I përuroj dhe falënderoj të gjithë ata që kanë mundësuar dhe zbatuar këto operacione të guximshme, dhe që kanë goditur rëndë këto grupe terroriste,” shkroi Parly të premten në Twitter. “Forcat tona, në bashkëpunim me partnerët tonë të shteteve G5 të Sahelit, do të vazhdojnë pa ndalë përndjekjen e tyre.

Vdekja e Droukdelit vjen pasi që presidenti francez Emanuel Macron dhe udhëheqësit e grupit G5 Sahel, Mauritania, Mali, Burkina Faso, Nigeri dhe Chadi, nisën një plan të ri në janar për të luftuar xhihadistët në këtë rajon.

Franca ka vendosur edhe 600 ushtarë shtesë në këtë rajon, duke e ngritur numrin e ushtarëve në 5,100.

Nuk është e qartë se sa gjatë ka qenë Droukdel në Mali. Me vite është menduar se po fshihet në rajonin Kabyle të Algjerisë, vendlindjes së tij, dhe janë ngritur pyetjet se pse asnjëherë nuk është kapur nga forcat e sigurisë së Algjerisë.

Është konsideruar si udhëheqësi simbolik i degës së Al-Kaidës për Afrikën e Veriut, qendra operuese e të cilëve dekadën e fundit u bart në Malin verior, transmeton KOHA.

Kjo bëri që ushtria franceze të pushtojë këtë rajon në vitin 2013, për të kundërshtuar ekstremistët islamikë në Malin jugor dhe kryeqytetin Bamako.

Droukdel e ndërtoi reputacionin e tij si udhëheqës i frikshëm ekstremist në Algjeri.

Droukdel, gjithashtu i njohur me emrin luftarak Abu Musab Abdul Wadud, transformoi grupin “Salafist për Luftë dhe Predikim”, të njohur si GSPC, në “Al-Qaeda në Maghrebin Islamik”, duke e shpërndarë këtë lëvizje përgjatë tërë rajonit Sahel të Afrikës.

Së fundmi ai ka komanduar grupet e Al-Kaidës në Afrikën Veriore dhe Saheel, përfshirë edhe Nusrat al-Islam, grup i cili ka marrë përgjegjësi për sulmet shkatërruese ndaj ushtrisë së Malit dhe paqeruajtësve të OKB-së që o përpiqen të stabilizojnë këtë shtet të trazuar. Parly e identifikoi si anëtar të “komitetit udhëheqës” të Al-Kaidës.