Kosova

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve: Luani i kontrabanduar në Stançiç po përdoret për qëllime komerciale

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thotë se luani në fshatin Stançiç të Gjilanit është i kontrabanduar dhe si i tillë po vazhdon ende të përdoret për qëllime komerciale.

Sipas njoftimi në Facebook të këtij fondacioni, më datën 13.01.2020 një ekip i organizatës ishte në takim me zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për t’u informuar rreth masave që janë ndërmarrë me rastin e kontrabandimit të luanit në fshatin Stançiç të Gjilanit.

Para takimit, ata thonë se MMPH i është përgjigjur kërkesës për qasje në dokumente publike që organizata kishte bërë javë më parë, për të marrë informata shtesë për situatën e luanit në fjalë.

“Pas kallëzimit penal të bërë nga organizata jonë, nga MMPH u njoftuam rreth grupit punues që është krijuar prej tyre si dhe për hapat që janë ndërmarrë nga ky grup punues. Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë një vendim të përkohshëm për sekuestrim të luanit, mirëpo në mungesë të infrastrukturës së dedikuar nga shteti për këso lloj kafshësh, luani do të mbetet në vendin aktual deri sa të merret një vendim permanent për destinacionin e ardhshëm të luanit”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, Prokuroria Themelore në Gjilan është duke hetuar rastin e kontrabandimit pas kallëzimit penal të dorëzuar nga organizata jonë. Ne urojmë dhe shpresojmë që ky rast të zgjidhet sa më shpejtë si dhe fajtorët të vihen para drejtësisë.

“Organizata jonë ka marrë vesh nga MMPH që gjatë javës së kaluar, është bërë edhe një vizitë inspektuese, ku është konstatuar që përmbushen kushtet infrastrukturore për mbajtje të luanit, si dhe sa i përket shëndetit të tij, është konstatuar nga veterinarë të angazhuar nga MMPH se luani është në gjendje të mirë shëndetësore, si dhe është duke u ushqyer mire. Për ne këto nuk janë asnjëherë informata të kënaqshme ngaqë luanin po e mban dikush që nuk kishte aspak konsideratë për të qysh në fillim; andaj edhe kemi kërkuar nga MMPH proces verbalin e vizitës së fundit të MMPH-ës dhe të shohim edhe fotot e raportit. Organizata jonë shpreson që në raportin e inspektimit, të konstatohet nga veterinerët edhe gjendja emocionale dhe e sjelljeve të luanit (ankth, siklet, stres, etj.). Nëse jo, do të duhet një vizitë shtesë”, thuhet tutje në njoftim.

Organizata thotë se është në kontakt me OJQ të huaja që ofrojnë strehime rehabilituese për këtë lloj kafshësh që luanit në Kosovë t’i zgjedhim një vendbanim afatgjatë ku nuk do të përdoret për qëllime komerciale.

“Na shqetëson fakti që luani është ende i ekspozuar për njerëz edhe pse dihet qartë që pronari i restorantit ka bërë shkelje të rënda ligjore. Nëse gjykata ka dhënë leje për sekuestrim, por shteti jonë nuk ka vend për ta strehuar përkohësisht, atëherë pse t’i jepet rasti që pronarët e restorantit të argëtohen me të akoma”, thonë ata.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.