OPINION

Fletërrufetë e Rexhep Qosjës

Shkruan: Ndue UKAJ
Shqiptarët janë mësuar tash e sa vite t’i dëgjojnë e t’i lexojnë broçkullat e përditësuara të Rexhep Qosjës, të cilat i mbllaçit në secilën stinë. Në thelb, ato janë të ngjashme: fletërrufe ku tregohet urrejtja kundër Ibrahim Rugovës.

Fletërrufetë e tij ndodh të kenë ndërruar formë, por jo përmbajtje: janë ballafaqim i njeriut të mundur me atë që triumfoi mbi të, dhe mbi gjithë tjerët që u sillen vërdallë tij.

Qosja është intelektual tipik komunist dhe si gjithë soji, atij gjithmonë i është dashtë të ketë një armik, për të ndërtuar kauza publike dhe njëkohësisht për t’i fshehur paudhësitë e tij. E, kur nuk e ka patur një të tillë, e ka sajuar, siç ka bërë me Ismail Kadarenë. Sepse, vetëm kështu ka mundur të jetë aktual. Përndryshe, vepra e tij e mbushur me urrejtje, gulçe e mllef është refuzuar nga lexuesit e mirë, që nuk ushqehen me broçkulla e mllef.

Si rrjedhojë e kësaj mendësie komuniste, Qosja mbllaçitë dhe kështu në vazhdimësi tregon sa shumë di të urren.

Kurse në anën tjetër, Rugova, sa qe gjallë e aktiv, në kulturë dhe në politikë, ishte ana e kundërt e tij: ai ishte tipiku i intelektualit të urtë perëndimor, që ndërton dhe nuk rrënon, që mëson dhe përvetëson dije, ndaj edhe programi i tij kulturor, letrar e politik, ishte ndërtues dhe jo rrënues. Dhe si i tillë, Rugova u pranua nga bota shqiptare dhe ajo e emancipuara, perëndimorja.

Qosja tash e sa vite vuan sepse Rugova i ka bërë hije të madhe, në fushën e letërsisë dhe sidomos të politikës, dhe nuk mund të pajtohet me faktin se projekti rugovian është realizuar.

Dhe kjo është njëra nga arsyet pse ai tash e sa vite mundohet t’i bindë shqiptarët me versionin e tij të urrejtës kundër Rugovës, version të cilin shqiptarët e kanë hedhë qëmoti në koshin e plehrave.

Ai vazhdon të bëjë luftë donkishotese, duke u munduar që ta shkatërrojë figurën e Rugovës me përrallisje e lajme kuturu. Këtë s’ia ka dalë ta bëjë me vepra, ndaj tash përpiqet ta bëjë me pamflete plot mllef.

Sot, krejt çka mbajnë mend shqiptarët prej Qosjës, janë broçkullat e gërditshme, prej të cilave lexuesit e mirë ndjejnë neveri.

Një intelektual që i ka shërbyer me devotshmëri sistemit Jugosllav, por edhe atij të Tiranës, nuk ka kreditë morale të bëjë deduksione morale.

Për më tepër, kjo është e gërditshme!

Qosja, me këto marrina që po i publikon, po tregon se në ç’ batak është katandisë.

E fletërrufe në të vërtetë kanë status ditor ose treditorë, në të cilën kohë ai përfiton vëmendjen e opinionit publik. E, Rugova e Kadare, me vepra madhore e kanë fituar qëmoti përjetësinë në historinë e kulturës shqiptare.

Në fakt, është për t’u dhimbsur një katandisje e tillë. Por duket se kjo është krejt çka i ka mbet të bëjë, pas dështimit të madh në politikë, kur populli i Kosovës e largoi të turpëruar, ashtu siç ai vetë u largua pa tro dinjiteti në kohën kur Kosova digjej.

Leave a Reply

Your email address will not be published.