Flet nënkryetarja e Mitrovicës veriore: Ja bashkëpunimi i saj me Listën Serbe – tregon a është e pavarur nga partitë serbe?

Nënkryetarja e Mitrovicës veriore, Katarina Agjançiq, në një intervistë ekskluzive ka treguar për punën e saj që e ka bë në Agjensionin Tatimor të Kosovë, para se të bëhet nënkryetare komune.

Agjançiq, ka treguar se si i erdhi ftesa për të marr këtë post që tashmë e zotëron në komunën veriore të Mitrovicës, bashkëpunimin e saj me serbët dhe Listën Serbe dhe cilat janë prioritetet e saj, të cilat thotë se do t’i realizojë më shpejt se sa mendojnë qytetarët.

Ajo është pyetur edhe për grupet kriminale serbe, të cilat po pengojnë lëvizjen e lirë tash e sa kohë në veri, por që nuk ka dashur të jap komentin e saj në këtë drejtim.

Intervista e plotë me Katarina Agjançiq:

A mund të na tregoni për lexuesit tanë, se kush është Katarina Agjançiq?

Katarina Agjançiq: Unë jam Katarina Agjançiq, ku jetoj dhe veproj në veriun e Mitrovicës, gjegjësisht në Lagjën e Boshnjakëve.

Sa i përket punës, unë tash e 20 vjeet kam punuar në ATK ‘Agjensionin Tatimor të Kosovës’, ku nga 18.05.2023 kam edhe detyrën në komunën veriore të Mitrovicës si Nënkryetare.

Si ju erdhi ftesa të bëheni nënkryetare e Mitrovicës veriore?

Katarina Agjançiq: Ftesa më erdhi krejt rastësisht….!

Pse vendosët të jeni nënkreytare e komunës, përderisa serbët kanë bojkotuar zgjedhjet?

Katarina Agjançiq: Këtë e kam shpjeguar shumë herë, se me rastin e vërshimeve jam drejtuar Shtabit Emergjent në Lagjën e Boshnjakëve, të formuar nga Kryesusi i Kuvendit komunal dhe përfaqësues i lagjës, ku kemi biseduar për nevojat e qytetarëve dhe shumë tema të tjera. Mirëpo çka më ka bë të marr këtë hap janë qytetarët të cilët mbetën në mëshirën e Zotit, sepse komuna e veriut të Mitrovicës ishte pa ekzekutiv dhe asnjë nevojë të qytetarëve nuk e kishim ku ta adresonim. Dhe këtu ia kam bë veti detyrë që të marr një hap të duhur për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.

Përderisa keni vendosur të jeni nënkryetare, a do të thotë se jeni e pavarur nga partitë tjera serbe?

Katarina Agjançiq: Nuk jam e ndikuar nga asnjë parti, por jam e ndikuar nga nevojat e qytetarëve.

A mund të na tregoni, cili është bashkëpunimi me serbët në veri?

Katarina Agjançiq: Sa i përket asaj se a kam bashkëpunim me komunitetin tim serb, ju përgjigjem me PO të madhe të shtypit, pra kemi bashkëpunim të mirë dhe të arsyeshëm.

Po me Listën Serbe, a keni bashkëpunim?

Katarina Agjançiq: Me Listën Serbe e kam potencuar shumë herë se nuk jam në konflikte politike, sepse unë nuk jam politikane!

Pasi e keni marrë mandatin tuaj si nënkryetare, a keni pas telefonata nga serbët në veri?

Katarina Agjançiq: A kam pas telefonata nga komuniteti im? Po të shumta për të më uruar postin e Nënkryetares, që nënkupton kam pas telefonata pozitive.

Cilat janë prioritetet e juja kryesore, të cilat do t’i realizoni brenda këtij mandati?

Katarina Agjançiq: Kam shumë projekte që do t’i implementojmë, por vlen të theksohet se do të fokusohemi në asfaltimin e disa rrugëve, kanalizimet, pastrimin e shtratit të lumit Ibër, ndriçimin, parqet, çerdhe, etj.

Kur mund të shohin qytetarët projektin e parë të realizuar nga ju?

Katarina Agjançiq: Po unë do të punoj që këto projekte të realizohen sa më shpejt që mundin qytetarët të imagjinojnë.

Për fund, sa mendoni që do të zgjas mandati, pasi flitet se mund të ketë përsëri zgjedhje në veri?

Katarina Agjançiq: Për kohëzgjatjen e mandatit se sa do të më zgjas pak ka rëndësi, sepse unë punën e sotit nuk e lë për nesër. Që nënkupton se do ta shfrytëzoj çdo sekond të mandatit tim për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.

Go to TOP