Kronika e zezë

Fushë Kosovë: Arrestohen një 20 vjeçar dhe një 19 vjeçare për vjedhje të rëndë

Dy persona janë arrestuar mbrëmë në Fushë Kosovë.

Ata dyshohet se kanë kryer veprën “vjedhje e rëndë”.

Bëhet fjalë për një djalë me inicialet K.A, 20 vjeç dhe një femër M.G, 19 vjeçare.

Kjo e fundit është hasur nga policia në banesën e të dyshuarit, gjatë kontrolleve ku përveç provave që lidhen me rastin e kanë gjetur edhe të dyshuarën e kërkuar nga Gjykata.

Kështu për Klan Kosova tha Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës.

“Mbrëmë rreth orës 22:30 njësitet policore të stacionit të Fushë Kosovës, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje të rënda. Rasti për të cilin është arrestuar i dyshuari: K. A . mashkull, 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka ndodhur me datën 08.04.2021 në një lokal në rrugën “Abedin Sogojeva” në Fushë Kosovë”.

“Gjatë kryerjes së kontrollit në vendbanimin e të dyshuarit, hetuesit policor përveç disa provave materiale që ndërlidhen me rastin e sipër shënuar, kanë hasur në personin e kërkuar nga Gjykata Themelore: -M.G. femër, 19 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës”.

Ahmeti tha se dy të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit personi i dyshuar K.A është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa e dyshuara M.G. sipas urdhëresës së gjykatës, është dërguar në Qendrën Korrektuese në Lipjan, për vuajtje të dënimit”.