Kosova

Fjalimi brilant i Kryeministrit Kurti të cilin e mbajti para ushtarëve të FSK-së

Sot po ndodhin aktivitete të ndryshme nën protokollin shtetëror, në përkujtim të 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, përcjell Kosova.info


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përkujtim të 22 vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Familjes Jashari, që u mbajt në kuadër të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së”.  

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti tha se 22 vjet më parë, po ndodhte kulmimi i një situate të re, të ngjizur me vite e dekada të tëra, po ndodhte diçka e jashtëzakonshme të cilën bota nuk e kishte parë. “Po ndodhte që një familje e tërë, gra e burra, vajza e djem të familjes Jashari, me vetëdije e të patrembur, po luftonin me një shtet fashist të cilin bota ende nuk po e dëftonte si të tillë. Ishte kjo familje, ishte kryekomandanti dhe strategu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, Hamëz Jashari e Baca Shaban, që njëherë e përgjithmonë, si askush tjetër, na treguan neve dhe botës, se kur liria është në pyetje, nuk ka as çmim e as forcë që mund t’i spraps apo ndalë nga qëllimi i tyre i gatuar me dashuri për atdheun e për njëri-tjetrin”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti theksoi se Epopeja e UÇK-së e ndryshoi politikën dhe historinë.

“Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen, dhe, kështu, e ndryshuan popullin sepse e bashkuan atë, dhe, e ndryshuan secilën familje shqiptare sepse i vetëdijësuan ato. Gjithçka ndryshoi përgjithmonë”, theksoi kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtënant Rrahman Rama,

E nderuara familje Jashari, i dashuri baca Rifat,

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani,

I nderuari President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,

I nderuari Ministër i Mbrojtjes, z. Anton Quni,

E nderuara kryetare e Gjykatës Kushtetuese, znj. Rama-Hajrizi,

E nderuara presidente Jahjaga,

Të nderuar ish kryeministra Haradinaj dhe Çeku,

Të nderuar ministra e deputetë,

Të nderuar ushtarë e kadetë të FSK-së, veteranë e invalidë të UÇK-së,


Është çdoherë kënaqësi të jesh në prani të Forcës së Sigurisë së Kosovës e sidomos në këto ditë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ushtria e Kosovës mund të ketë akronime të ndryshme, por ajo çdoherë e përherë do të ketë komandantin e saj legjendar, kryekomandantin Adem Jashari, i cili trimëron e frymëzon ushtarët e rinj.


Sot, 22 vjet më parë, madje edhe në të njëjtën ditë, 5 marsi 1998 ishte e enjte, 6 marsi e premte, kurse 7 marsi e shtunë, po ndodhte kulmimi i një situate të re, të ngjizur me vite e dekada të tëra. Po ndodhte diçka e jashtëzakonshme të cilën bota nuk e kishte parë. Po ndodhte që një familje e tërë, gra e burra, vajza e djem të familjes Jashari, me vetëdije e të patrembur, po luftonin me një shtet fashist e të cilin bota ende nuk po e dëftonte si të tillë. Ishte kjo familje, ishte kryekomandanti dhe strategu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e Hamëz Jashari e Baca Shaban, që njëherë e përgjithmonë, si askush tjetër, na treguan edhe neve edhe botës, se kur është liria në pyetje, nuk ka as çmim e as forcë që mund t’i spraps apo ndalë nga qëllimi i tyre i gatuar me dashuri për atdheun e për njëri-tjetrin.


Epopeja e UÇK-së e ndryshoi politikën dhe historinë. Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen, dhe, kështu, e ndryshuan popullin sepse e bashkuan atë, dhe, e ndryshuan secilën familje shqiptare sepse i vetëdijësuan ato. Gjithçka ndryshoi përgjithmonë.


Në çdo përvjetor epopeje ne do ta vëmë aktin e tyre në frazë, sepse edhe me mijëra fraza të themi, akti i tyre mbetet i pathënshëm.


Ne kemi sakrifikuar shumë që të kemi të drejtat dhe liritë tona, të kemi shtetin tonë, por sidomos të kemi ushtrinë tonë, të fortë e madhështore, jo sepse ne kemi ambicie për të pushtuar, por për shkak se kemi të kaluar të hidhur.


Ne duam një ushtri të fortë, profesionale e cila mbron tërësinë tonë territoriale dhe garanton sigurinë tonë kombëtare; duam anëtarësim në NATO, prandaj edhe do të rrisim investimet të cilat janë të domosdoshme që të bëhemi partnerë të denjë.


Ne jemi vend i vogël e me popullsi të varfër, por jemi një popull liridashës e njerëz me zemër të madhe. Jemi popull që nuk nënshtrohemi.

Ushtria është nevojë e kohës.

Të thuash se po jetojmë në një kohë ku lufta është e paimagjinueshme është thjeshtëzim, por edhe naivitet.


Ne nuk do të bëjmë naivin përderisa kemi në kufi një shtet i cili jo vetëm që nuk njeh ekzistencën tonë, por punon çdo ditë që ta ndryshoj realitetin tonë, dhe, furnizohet me armatim e pajisjes nga fuqi që janë kundër NATO-s.


Aleanca jonë me NATO-n është e domosdoshme dhe anëtarësimi ynë edhe në NATO edhe në BE duhet përshpejtuar në mënyrë që edhe të forcojmë paqen në rajon, por edhe të parandalojmë ndikimin e fuqive të huaja. Ky është interes strategjik i dyanshëm.


Ne mund të përballojmë polarizimet për politika të brendshme, por nuk mund të përballojmë dallimet në politikën e jashtme, sepse ajo cenon tërësinë tonë territoriale, interesat tona strategjike dhe integritetin tonë institucional.


Kur nuk pajtohemi, dhe gabojmë në politikën e brendshme, humbin liderët dhe partitë, por kur nuk pajtohemi për synimet e përbashkëta në politikën e jashtme humb shteti.

Shteti është mbi individin, është i të gjithëve sepse i asnjërit, është i asnjërit sepse është i të gjithëve. Shteti, dhe vetëm shteti, është sovran. Askush tjetër, asnjëherë. Populli është burim i sovranitetit. Populli është burimi i vetëm i sovranitetit, dhe, kuptimi i sovranitetit të shtetit. 

Të nderuar të pranishëm,

Është interes yni strategjik e jetik aleanca e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo aleancë tejkalon interesat e ngushta e të përkohshme pasi ne ndajmë aspirata të përbashkëta të një shoqërie të lirë e të hapur, të bazuar në të drejtat të njeriut, në ekonominë e tregut dhe barazi në mundësi.


Këtë aleancë nuk mund ta cenojë e ta prish askush, sepse ajo është krijuar e kultivuar me gjenerata.


Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës e duan një Kosovë të fortë e të pavarur; një Kosovë që avancon demokracinë, që i kontribuon paqes në rajon dhe mbron e avancon interesat e saj.


Forca e Sigurisë së Kosovës mund të ngjajë ushtri e vogël por ajo është partnere e madhe dhe e denjë e ShBA-ve dhe e NATO-s, një ushtri e cila është e gatshme të mbrojë idealet e lirisë për të cilat edhe dhanë jetën familja Jasharaj.


Jasharajt na mësuan se asgjë nuk mund të arrijmë pa vetëmohim dhe unitet.

Borxhi ynë ndaj tyre shlyhet vetëm me shtet ndërtim. Raporti jonë me historinë nuk shteron, por as puna jonë me shtetndërtimin nuk mbaron.


Unë do të kërkoj këtë unitet përkundër dallimeve që kemi, sepse ne të gjithë jemi në shërbim të vendit dhe jo të vetvetes.

Princip e disiplinë, organizim e bashkim, krenari e përkushtim, mbrojtje dhe ruajtje.  Kjo jeni ju, dhe, ne jemi ju.  


Lavdi Jasharajve e forca FSK

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.