KosovaTop Lajmi

Fitore Pacolli i kërkon llogari AGK-së për reagimin ndaj grupit të vëllait të saj

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, i ka kërkuar llogari Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për reagimin ndaj grupit “#mekryeministrin”, që e ka krijuar vëllai i saj. Ky është grupi i dytë që është krijuar me këtë emër, meqenëse i pari është mbyllur nga Facebook.

Pacolli ia ka parashtruar disa pyetje AGK’së, pas reagimit për gjuhën linçuese që përdorej kundrejt gazetarëve në grup.

“Seriozisht AGK? Po mirreni me një grup të krijuar në Facebook edhe po më cilësoni kinse unë po mbështes gjuhën linçuese ndaj gazetarëve? Unë po i vësha në rrezik gazetarët?

Ku ishit ju AGK kur dje emri im u përmend në secilin portal? A nuk është ky një lloj linçimi që portalet po e bëjnë ndaj meje dhe një grupi të krijuar nga disa djemë e vajza që asnjë të keqe nuk i kanë bërë askujt? A nuk është linçim kur telefoni im nuk ndalet sepse “gazetarët” thërrasin edhe pyetjet janë jo etike?”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka thënë se s’ka linçuar e kërcënuar gazetarët, derisa e ka lutur AGK’së që nëse gjejnë ndonjë kërcënim apo linçim që ka bërë ajo, ta dërgojnë menjëherë në gjykatë.

“AGK do të ishte mirë të punoni në ngritjen e etikës në media dhe besueshmërisë. Mos u frikësoni ne nuk e rrezikojmë e as nuk e kërcënojmë askënd. Nuk mund të gjeni asnjë moment kur unë kam linçuar e kërcënuar gazetarë. Nëse gjeni ju lutem dërgojeni menjëherë ama menjëherë në gjykatë. Ju lutem.  Ju thirreni në emër të lirisë së shprehjes e në anën tjetër cënoni lirinë e tjetrit”, ka shkruar Pacolli.

Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, e ka pranuar me shqetësim vazhdimin e gjuhës linçuese të grupit #mekryeministrin, në Facebook.

“Ky grup, i cili është hapur dhe funksionon në shërbim të partisë në pushtet dhe kryeministrit, Albin Kurti, vazhdimisht ka sulmuar gazetarë të medieve të ndryshme të Kosovës. Edhe pas rihapjes, grupi ka sulmuar një pjesë të medias duke i quajtur ato të Klanit Pronto.

Përkrahja publike e deputetes së Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj këtij dhe kësaj gjuhe të përdorur, i vë seriozisht në rrezik gazetarët, andaj është e dënueshme dhe e prapranueshme për AGK-në.

Ftojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të distancohen nga kjo gjuhë linçuese dhe të ndalojnë përkrahjen, qoftë indirekte për sulmet e tilla ndaj gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK’së.

Shfaq më shumë